Riciklimi dhe përfitimet e tij
EC Ma Ndryshe në kuadër të projektit "EKO Shkolla" para nxënësve të shkollës fillore "Mustafa Bakiu" dhe "Haziz Tola" ka mbajtur një trajnim mbi edukimin mjedisor dhe një prezantim mbi projektin dhe aktivitetet njëvjeçare të këtij projekti. Ky trajnim është dizajnuar me qëllim të njoftimit të nxënësve me metodat dhe përfitimet e riciklimit si një nga alternativat për mbrojtjen e ambientit. Në kuadër të këtij trajnimi filloristët patën mundësinë të punojnë bashkë me Nora Simitçiun mbi temën "Riciklimi dhe përfitimet e tij". Këta nxënës fillimisht dëgjuan ligjëratën mbi këtë temë ku u elaborua parimi 3R (Reduktim, Ripërdorim dhe Riciklim) dhe u shfaqën shembuj të ndryshëm. Pas ligjëratës nxënësit patën mundësinë që të punojnë në grupe ku ndoqën disa hapa të përcaktuar për të zhvilluar një aktivitet për shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Riciklimit.
Ky grant është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA).