Realizohet EKO parku në shkollën e Mjekësisë
Në shkollën e mjekësisë “Luciano Motroni” e cila është përfituese e projektit “EKO shkolla” është realizuar mbjellja e fidaneve të reja dhe është bërë vendosja e ulëseve me qëllim të vënies në funksion të kësaj hapësire përmes krijimit të një ambienti eko-miqësor.
Për të realizuar këtë aktivitet janë angazhuar ekspertët të cilët kanë punuar së bashku me nxënësit dhe menaxhmentin e shkollës për të krijuar një zgjidhje të qëndrueshme për këtë park. Me këtë qëllim është organizuar paraprakisht punëtoria e vizionimit e cila i ka paraprirë këtij intervenimi, duke i dhënë të rinjve të kësaj shkolle mundësinë që të shprehin vizionin e tyre për hapësirën që i rrethon dhe njëkohësisht duke i bërë ata pjesëmarrës në procesin e këtij planifikimi.
Pas kësaj faze gjithëpërfshirëse ka filluar periudha e dizajnimit të projektit i cili është bazuar në nevojat dhe kërkesat e shfaqura. Pas identifikimit të nevojave dhe prodhimit të këtij raporti vizionues EC Ma Ndryshe në bashkëpunim me Grupin e Ekologëve “Luciano Motroni” ka intervenuar në këtë pjesë duke e sjellë në dispozicion një hapësirë të gjelbër rekreative dhe të shfrytëzueshme. Dokumenti i vizionimit i është ofruar menaxhmentit të shkollës dhe Klubit të Ambientit të cilët do të vazhdojë tutje me zbatimin e këtij projekti duke investuar në implementimin e disa pikave tjera të parapara për këtë hapësirë.
EC në kuadër të projektit “EKO Shkolla” ofron një model dhe metodologji që përdoret gjerësisht në vendet e zhvilluara, por që po zgjerohet me shpejtësi edhe në vendet në zhvillim. Përvojat botërore tregojnë se shkolla ekologjike është një fenomen në rritje, i cili nxit të rinjtë të angazhohen në mjedisin e tyre duke u dhënë atyre mundësinë për ta mbrojtur atë në mënyrë aktive.
Përmes këtij projekti ofrohet mundësia që nxënësit dhe mësimdhënësit e shkollës së përzgjedhur të bëhen pjesë e një programi afatgjatë që përmban trajnime, aktivizëm, zbatim nismash dhe promovim mjedisor.
Ky grant është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA).