Realizohet cikli i ligjëratave interaktive për trashëgiminë kulturore me nxënësit e Prizrenit

EC Ma Ndryshe ka realizuar ciklin e ligjëratave interaktive për trashëgiminë kulturore me nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme të ulëta të qytetit të Prizrenit. Qindra nxënës të këtyre shkollave kanë pasur rastin që të përfitojnë njohuri dhe të diskutojnë lidhur me rëndësinë e trashëgimisë kulturore, konceptet dhe periudhat, kategorizimet e trashëgimisë kulturore por edhe asetet e mbrojtura.


Ligjëratat interaktive kanë shërbyer si mjet shtesë për ti informuar nxënësit mbi format për promovimin dhe ruajtjen trashëgimisë kulturore, në mënyrë që kjo trashëgimi të perceptohet edhe si një mundësi për zhvillim ekonomik dhe jo vetëm vlerë e komunitetit.


Përpjekja për mbrojtjen, ruajtjen dhe promovimin e mëtejmë të trashëgimisë kulturore duhet të jetë një proces gjithëpërfshirës, me ç'rast duhet krijuar mundësitë për pjesëmarrjen e të gjitha grupeve të komunitetit, përfshirë të rinjtë.


EC Ma Ndryshe me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve është duke zbatuar projektin “Trashëgimia kulturore gjithëpërfshirëse” që ka për qëllim promovimin e trashëgimisë kulturore në shkollat e Prizrenit, me fokus në arsimin e mesëm të ulët, përmes jetësimit të nismave dhe aktiviteteve jashtë kurrikulare, të karakterit informues, garues dhe praktikues, me qëllim të nxitjes së ndërgjegjësimit të gjeneratave të reja mbi rëndësinë dhe vlerat e trashëgimisë tonë kulturore.

Rrjetëzimi