Qytetarët e Kosovës duhet të informohen më shumë lidhur me të drejtat e tyre për të jetuar në një mjedis të shëndetshëm
Kushtetuta e Kosovës ofron të drejta lidhur me mjedisin, si e drejta për një mjedis të shëndetshëm. Këto të drejta mund të interpretohen dhe zbatohen përmes legjislacionit dhe mekanizmave ligjorë. Por njohuritë e qytetarëve lidhur me këto të drejta janë të kufizuara.
Të dhënat e Përmbledhjes së Pulsit Publik XXVI të publikuar nga UNDP-ja (https://bit.ly/3WuAOUq), tregojnë se mjedisi nga qytetarët është radhitur ndër pesë problemet kryesore në Kosovë, përfshirë këtu ndotjen e ajrit, mbledhjen e mbeturinave, degradimin e lumenjve dhe degradimin e tokës.
Paraprakisht, të dhënat e Përmbledhjes së Pulsit Publik XXIV të publikuar nga UNDP-ja (https://bit.ly/3WIVBFb) në prill të vitit të shkuar patën vënë në pah faktin se qytetarët e anketuar lidhur me njohuritë e tyre për të drejtat për të jetuar në një mjedis të shëndetshëm dhe më të pastër kanë pak njohuri ose njohuri mesatare për këto çështje.
“Kur u pyetën për të drejtën e tyre për të jetuar në një mjedis të shëndetshëm dhe të
pastër, gjithsej 14.5% e të anketuarve pohuan se nuk kanë njohuri për këtë temë... Gjithsej 38.3% thanë se kishin pak njohuri për këtë temë, ndjekur nga 32.3% që kishin njohuri mesatare për këtë temë dhe 14.9% që kishin shumë njohuri për këtë temë”, thuhet në atë raport.
Të dhënat e zbërthyera në Përmbledhjen e Pulsit Publik XXIV sipas përkatësisë etnike tregojnë dallime të konsiderueshme mes komuniteteve të ndryshme në Kosovë në lidhje me vetëdijesimin e tyre për të drejtën për të jetuar në një mjedis të shëndetshëm dhe të pastër.
“Gjithsej 31.5% e pjesëtarëve të komuniteteve të tjera të Kosovës, 13.8% e serbëve të Kosovës dhe 14.7% e shqiptarëve të Kosovës deklaruan se nuk kanë njohuri për këtë çështje... Shqiptarët e Kosovës përfaqësonin pjesën më të madhe të të anketuarve që pohuan se kishin shumë njohuri për këtë temë me 16.1%, ndërsa vetëm 5% e pjesëtarëve të komuniteteve të tjera të Kosovës dhe 4.3% e serbëve të Kosovës e pohuan të njëjtën gjë”, shkruan në këtë përmbledhje.
Të anketuarit e pyetur edhe në lidhje me vetëdijesimin e tyre për kërcënimet e mundshme mjedisore ndaj shëndetit të tyre dhe të familjeve të tyre, ku gjithsej 18.8% e të anketuarve kanë pohuar se nuk kanë njohuri për këtë temë, teksa 41.6% e të anketuarve kanë pohuar se kanë pak njohuri për këtë temë, pastaj 33% thanë se kanë njohuri mesatare dhe 13.6% se kanë shumë njohuri për këtë temë.
“Të dhënat e zbërthyera sipas përkatësisë etnike treguan se ka dallime të dukshme ndërmjet komuniteteve kur pohojnë se nuk kanë njohuri për këtë temë. Teksa vetëm 18.4% e shqiptarëve të Kosovës pohuan se nuk kanë njohuri për kërcënime potenciale mjedisore ndaj shëndetit të tyre dhe të familjeve të tyre, 22.9% e serbëve të Kosovës dhe 38.5% e pjesëtarëve të komuniteteve të tjera të Kosovës e pohojnë të njëjtën gjë. Po ashtu, një pjesë më e madhe e shqiptarëve të Kosovës (14.7%) pohuan se kishin shumë njohuri për këtë temë, krahasuar me serbët e Kosovës (3.3%) dhe pjesëtarët e komuniteteve të tjera të Kosovës (3.5%)”, thuhet në në Përmbledhjen e Pulsit Publik XXIV.
Ndërkohë ka disa vite rresht që Bashkimi Evropian rekomandon Kosovën se duhet të rrisë angazhimin e saj politik dhe kapacitetin administrativ për të adresuar çështjet që kanë të bëjnë me degradimin e mjedisit dhe ndryshimet klimatike, si dhe për të përmirësuar implementimin dhe zbatimin e legjislacionit të saj. Por në të njëjtën kohë edhe të rrisë ndërgjegjësimin e publikut për rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit (https://bit.ly/3WJqTvz).
Në këtë kuptim nevojitet edhe angazhimi për ti njoftuar qytetarët për të drejtat për të jetuar në një mjedis të shëndetshëm dhe më të pastër, si një e drejtë kushtetuese.
Një gjë e tillë bëhet më urgjente marrë parasysh edhe konstatimet e një raporti të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-së (https://bit.ly/3Ws7IW3) ku thuhet se Kosova është një nga pikat e nxehta të ndryshimeve klimatike, që gjatë viteve në vijim mund të prodhojnë edhe pasoja negative për popullatën lokale.
Ky raport alarmon se krimi mjedisor paraqet sfidë serioze për ekosistemin e Kosovës.
“Krimi mjedisor, sikurse prerjet e paligjshme të drunjve dhe hedhja e mbeturinave, janë sfida serioze për ekosistemin dhe mjedisin. Këto aktivitete jo vetëm që degradojnë burimet natyrore dhe ekosistemet, por edhe përkeqësojnë ndikimet e ndryshimeve klimatike duke rritur nivelet e ndotjes dhe reduktimin e aftësisë së pyjeve për të vepruar si thithës karboni”, thuhet në raportin e NATO-sw.
EC Ma Ndryshe bashkë edhe me aktivistë dhe organizata tjera të shoqërisë civile përgjatë viteve të fundit kanë ndërmarrë aktivitete të ndryshme për të ndërgjegjësuar dhe frymëzuar komunitetet e ndryshme brenda Kosovës për ti cytur që të veprojnë si agjentë të ndryshimit në raport me sfidat mjedisore dhe ato të ndryshimeve klimatike. Por mungesa e përkrahjes dhe përkushtimit politik lidhur me sektorin e mjedisit ka bërë që Kosova të vazhdojë të ketë kapacitete të dobëta institucionale, profesionale e financiare për trajtimin e shumë sfidave mjedisore.
Për këtë arsye në linjë me rekomandimet e BE-së, vlen thirrja që të trajtohen me prioritet çështjet mjedisore në Kosovë duke përfshirë këtu edhe përpjekjet për ndërgjegjësim të qytetarëve për rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit, sikurse edhe për të avancuar njohuritë e tyre lidhur me të drejtat për të jetuar në një mjedis të shëndetshëm dhe më të pastër.