QEVERIA DHE KOMUNAT ME SFIDA TË SHUMTA NË JETËSIMIN E TË DREJTAVE GJUHËSORE
Korniza ligjore në Republikën e Kosovës është e avancuar sa i përket respektimit të shumëgjuhësisë, përkatësisht mbrojtjen e të drejtave gjuhësore të të gjitha komuniteteve. Mirëpo përkundër të arriturave të deritanishme në legjislacion e në politika si dhe në krijimin e mekanizmave për përdorimin e gjuhëve në Kosovë, megjithatë ende ka mangësi dhe sfida që pengojnë jetësimin e plotë në praktikë të këtyre të drejtave, si në nivelin qendror e po ashtu edhe në nivelin komunal të qeverisjes.
Rishtazi, drejtuesit e Qeverisë së Kosovës kanë konfirmuar angazhimet për adresimin e mangësive që ende ekzistojnë në këtë aspekt, me qëllim të mbrojtjes së të drejtës për të përdorur gjuhët zyrtare për të gjithë qytetarët. Gjithashtu kanë vlerësuar se shumëllojshmëria gjuhësore përveç se element i trashëgimisë së pasur kulturore, është edhe mjet për të arritur mirëkuptim dhe bashkëpunim të shtuar ndërkulturor në shoqëri. (burimi: https://bit.ly/3Y4l2i5).
Raportet kredibile ndërkombëtare të publikuara në vitet e fundit kanë vënë në pah kërkesën për zbatim në praktikë të dispozitave ligjore për përdorimin e gjuhëve. Raporti i fundit i BE-së për Kosovën ka vlerësuar nevojën për një zbatim më konsistent të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, si përgjegjësi e të gjitha institucioneve, duke konsideruar se mbetet e nevojshme mbështetja më e fuqishme nga qeveria për të konsoliduar politikat gjuhësore. (burimi: https://bit.ly/3ZoIIPb).
Në të njëjtën linjë kanë qenë edhe vërejtjet në raportin e Departamentit të Shtetit për të Drejtat e Njeriut në Kosovë, ku është theksuar se administratat komunale si dhe institucionet e qeverisë qendrore kanë qenë jo konsistente në zbatimin e dispozitave të ligjit për përdorimin e gjuhëve, gjë që ka rezultuar me qasje të pabarabartë në shërbimet publike, informacion, punësim dhe të drejta të tjera për pjesëtarët e komuniteteve (burimi: https://bit.ly/3ZlHBzU).
Ndërkohë një raport i OSBE-së ka potencuar edhe telashet me përkthimet adekuate në nivel qendror, derisa ka konstatuar se kapacitetet e përkthimit në komuna ende janë të dobëta, ku sfidat që kanë të bëjnë me mungesën e burimeve njerëzore, pajisjeve dhe financimit vazhdojnë akoma (burimi: https://bit.ly/3Z5nI0f)
Edhe hulumtimet e organizatave të shoqërisë civile që veprojnë në Kosovë kanë gjetur që legjislacioni dedikuar gjuhëve nuk po zbatohet në praktikë dhe se mos respektimi i kësaj të drejte po manifestohet me sfida qenësore për komunitetet që jetojnë në Kosovë.
Shqetësimet lidhur me këtë çështje janë shprehur edhe në mbledhjen e fundit të Komitetit për Komunitete të Kuvendit të Komunës së Prizrenit, vendbanim ky që njihet me traditën e shumëgjuhësisë, ku gjuha shqipe, serbe, boshnjake dhe turke janë zyrtare, derisa muaj më parë është miratuar edhe vendimi për njohjen e gjuhës rome si gjuhë në përdorim zyrtar. Pjesëtarët e komuniteteve jo-shumicë janë shprehur të pakënaqur me zbatimin e të drejtave gjuhësore në nivel komunal, duke pohuar se këto çështje nuk duhet të jenë në rend dite edhe 15 vite pas shpalljes së Pavarësisë. Zyrtarët komunalë kanë konfirmuar burimet e kufizuara dhe mungesën e kapaciteteve për përkthime në të gjitha gjuhët zyrtare, por kanë theksuar se respektimi i të drejtave të njeriut është prioritet i Komunës së Prizrenit, teksa diversiteti është vlerë unifikuese në fuqizimin e demokracisë lokale, ku përfshihen edhe të drejtat gjuhësore.
Një hulumtim te ueb faqet e komunave të Kosovës konfirmon të gjitha gjetjet e sipërpërmendura sa i përket mangësive në zbatimin e legjislacionit për përdorimin e gjuhëve. Përderisa te komunat me shumicë shqiptare vërehen mangësitë e përkthimit të një numri të vendimeve të kryetarëve në gjuhët e komuniteteve jo-shumicë, e njëjta vlen edhe te komunat me shumicë serbe, por edhe te ajo me shumicë turke, sa i përket përkthimit të gjithë përmbajtjes në gjuhën shqipe.
Duke marrë për bazë faktin se korniza ligjore e Kosovës obligon institucionet qendrore dhe ato komunale për të zbatuar të drejtat gjuhësore, këto të fundit duhet të shtojnë angazhimet për jetësimin e tyre në praktikë, duke shtuar burimet njerëzore e fuqizuar kapacitetet institucionale. Përvoja e deritanishme me përkthim jo cilësor të akteve e dokumenteve zyrtare ka pasur efekt negativ në reputacionin e tyre, dhe ka dëmtuar përpjekjet për përfshirjen më të madhe të komuniteteve në vendimmarrje. Një hap pozitiv në këtë drejtim është shtyrja përpara nga Qeveria e iniciativës për themelimin e një njësie për përkthim dhe harmonizim, e cila do të merret me legjislacion shumëgjuhësh. Por përpjekjet e nivelit qendror dhe atij komunal duhet të shumëfishohen drejt promovimit të vlerave të shumëgjuhësisë respektivisht për të siguruar mbrojtjen e së drejtës për të përdorur gjuhët zyrtare.