“Qasja për Personat me Aftësi të Kufizuara në ndërtesat shumëbanesore në Prishtinë”

EC ka organizuar konferencën “Qasja për Personat me Aftësi të Kufizuara në ndërtesat shumëbanesore në Prishtinë”, në të cilën kanë marrë pjesë zyrtarë institucionalë, ekspertë, aktivistë, qytetarë dhe mediat.


Para pjesëmarrësve është prezantuar puna dhe praktikat e zhvilluara përgjatë vitit 2022 në dy projektet: “Aleanca për Qytetari Aktive dhe Komunat Përgjegjëse” dhe “Aktivizimi për të drejtat e njeriut”, në kuadër të të cilave është organizuar edhe kjo konferencë. EC përmes këtyre dy projekteve ka vazhduar përkushtimin dhe kontributin për promovimin dhe përhapjen e metodologjisë së planifikimit urban me pjesëmarrje si dhe për respektimin e të drejtave të njeriut, në atë mënyrë që të rritet ndërgjegjësimi i institucioneve lokale dhe qendrore për konceptin e gjithëpërfshirjes.


Të pranishmit në konferencë i përshëndetën edhe z.Niman Hajdari -Zëvendës Avokati i Popullit dhe znj.Nermin Mahmuti, Drejtoreshë Ekzekutive e Fondit për Zhvillim Komunitar (CDF), të cilët falënderuan organizatorët dhe pjesëmarrësit dhe e ripotencuan se kjo çështje është me shumë rëndësi dhe se duhet punuar më shumë në të ardhmen për të pasur një vend më gjithëpërfshirës në të gjitha aspektet.


Gjatë kësaj konference u publikua hulumtimi “Qasja për PAK-të në ndërtesat shumëbanesore në Prishtinë” (Linku), nga autorja Rozafa Basha, i cili ka për qëllim evidentimin e barrierave arkitektonike që vështirësojnë ose pamundësojnë lëvizjen dhe shfrytëzimin e objekteve të banimit kolektiv nga ana e personave me aftësi të kufizuara dhe të moshuarve në qytetin e Prishtinës.


Në panelin e diskutimit kanë marrë pjesë z. Xhemajl Metolli- zv.udhëheqës i Departamentit për Planifikim Hapësinor, Ndërtim dhe Banim; z. Afrim Maliqi-Handikos dhe Driton Tafallari- OJQ “Developing Together”.


Diskutimi vazhdoi me z.Metolli, i cili potencoi se ne kemi legjislacion por mungon zbatimi i tij, sipas tij problem kryesor mbetet qasja në zbatim. Më tutje lidhur me këtë problem ai shprehu pakënaqësitë mbi mungesën e një strategjie për zbatimin e këtyre ligjeve në praktikë.


Përfaqësuesi i Handikos z. Maliqi theksoi se në vend nuk ka ligje të mjaftueshme në përputhje me legjislacionin perëndimor aq sa mendohet të jenë nga institucionet përkatëse. Megjithatë në bazë të pikëpamjeve të tij ai e ceku që nuk është që ka mungesë të vetëdijes të qytetarëve tanë në krahasim me vendet perëndimore mirëpo problemi kryesor qëndron te mungesa e veprimit nga ana e institucioneve përgjegjëse për parandalim dhe ndëshkim të ndërtimeve që nuk janë në përputhje me legjislacionin.


Ndërsa edhe z.Tafallari ndante të njëjtat mendime me panelistët që kjo çështje duhet të trajtohet me prioritet dhe sugjeroi se qasja duhet të përfshihet edhe në Planet Zhvillimore Komunale dhe Hartat Zonale.


Gjatë diskutimit të hapur, pjesëmarrësit patën mundësinë që të diskutonin dhe të parashtronin pyetjet kundrejt panelistëve mbi hulumtimin dhe aktivitetet e tjera të realizuara nga EC gjatë gjithë vitit.

Rrjetëzimi