Punimet në infrastrukturë po realizohen pa njoftime adekuate për qytetarët e Prizrenit
Punimet në infrastrukturë në rrugët e ndryshme brenda qytetit të Prizrenit prej disa muajsh po realizohen pa njoftime adekuate për qytetarët. Organet përgjegjëse komunale në fillim të vitit kanë njoftuar se do të ketë intervenime në infrastrukturë përfshirë atë nëntokësore, por nuk janë kujdesur që qytetarët të njoftohen me kohë se cilat rrugë do të bllokohen, për sa kohë dhe cila do të jetë alternativa për qarkullim të automjeteve dhe këmbësorëve.
Bazuar në vëzhgimin ditor një situatë e tillë ka krijuar vështirësi për pjesëmarrësit në komunikacion në rrugë të ndryshme pasi mungesa e njoftimeve adekuate e madje edhe tabelave njoftuese ka bërë që në shumë raste të ketë tollovi si dhe paqartësi sa i përket zgjidhjeve alternative për qarkullim.
Prandaj, EC rekomandon organet përgjegjëse komunale që në bashkëpunim me partnerët zbatues të ndërmarrin veprime për njoftimin me kohë të qytetarëve për intervenimet në infrastrukturë dhe atë duke përdorur kanale të ndryshme të komunikimit në mënyrë që të evitohen situatat e palakmueshme për pjesëmarrësit në komunikacion.