Punëtoria “Ndryshimet Klimatike në Kosovë” vijon me shpalosjen e përvojave shkencore, akademike dhe atyre ndërkombëtare

Punëtoria mjedisore me temën “Ndryshimet Klimatike në Kosovë”, organizuar nga EC Ma Ndryshe, ka vijuar punimet e ditës së dytë, me thellimin e diskutimeve mbi aspektet shkencore, akademike dhe ndërkombëtare të ndryshimeve klimatike.


Në sesionin e parë të ditës së dytë, mbi “Modelet Klimatike dhe Ndryshimet e Motit në Kosovë”, janë prezantuar të dhënat historike mbi temperaturat, reshjet dhe ngjarjet ekstreme të motit, si dhe janë shpjeguar modelet klimatike që parashikojnë skenarët e ardhshëm. Diskutimi është përqendruar në ndikimin e pritshëm në burimet natyrore dhe në ekonomi, sikurse edhe në rëndësinë e monitorimit të rregullt dhe përdorimit të dhënave për hartimin e politikave mjedisore dhe informimin e komuniteteve.


Sesioni i dytë, “Roli i Akademisë në Përballjen me Ndryshimet Klimatike”, ka vënë në pah rëndësinë e kërkimeve shkencore dhe akademike në zhvillimin e qasjeve për zbutjen dhe përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike. Pjesëmarrësit janë njoftuar me studimet në fushat e energjisë së rinovueshme, biodiversitetit dhe planifikimit urban të qëndrueshëm, me ç’rast është theksuar potenciali i akademisë për të ndikuar në politikëbërje dhe bashkëpunim ndërsektorial.


Ndërsa në sesionin përmbyllës të ditës së dytë me temën “Studime Ndërkombëtare të Rasteve mbi Ndryshimet Klimatike” janë prezantuar përvojat nga vendet e ndryshme që kanë zbatuar strategji efektive për t’u përballur me sfidat klimatike. Gjatë këtij sesioni janë diskutuar edhe shembuj të suksesshëm të menaxhimit të burimeve natyrore, bujqësisë së qëndrueshme dhe tranzicionit drejt energjisë së pastër, me theks në aplikueshmërinë e tyre në kontekstin e Kosovës.

Rrjetëzimi