Publikohen raportet e monitorimit të sektorëve të mjedisit për tetë komuna

EC Ma Ndryshe ka publikuar raportet e monitorimit të sektorëve të mjedisit të tetë komunave të Kosovës përkatësisht Prizrenit, Prishtinës, Ferizajt, Mitrovicës së Jugut, Pejës , Gjilanit, Dragashit dhe Malishevës.

Gjetjet e këtyre raporteve, që mbulojnë periudhën e vitit 2022, pasqyrojnë gjendjen reale në sektorët e mjedisit, bashkë me mundësitë për të ngritur dhe përmirësuar çështjet mjedisore në këto komuna. Mungesa e sektorit për mjedis në komunën e Gjilanit, të Dragashit dhe të Malishevës, së bashku me burimet e pamjaftueshme njerëzore dhe financiare të cilat paraqiten në komunat e monitoruara po reflektohet edhe në gjendjen aktuale mjedisore.

Njëjtë si vitin e kaluar përmes këtij monitorimi janë identifikuar mangësitë aktuale në sektorët e mjedisit në këto komuna, mangësi këto që kërkojnë vëmendje më të shtuar nga autoritetet përgjegjëse.

Shkalla e hartimit dhe zbatimit të politikave lokale për planifikimin dhe menaxhimin mjedisor mbetet problematik, për faktin se nuk ka organizim të mirëfilltë në këtë aspekt. Rrjedha aktuale e hartimit dhe zbatimit të dokumenteve të planifikimit dhe menaxhimit të mjedisit, projekteve dhe masave për mbrojtjen e mjedisit në tetë komunat aktualisht e bën të vështirë matjen e efikasitetit të këtyre veprimeve në përmirësimin e gjendjes mjedisore.

Niveli i inspektimit si dhe hartimi i raporteve përkatëse lidhur me zbatimin e kornizës ligjore të mbrojtjes së mjedisit dhe të zbatimit të strategjive mjedisore mbeten të paqarta për shkak të mos shpalosjes së të dhënave të plota në këtë drejtim, derisa nga komunat është pranuar se në tregues të caktuar nuk ka as monitorim.

Në shumicën e komunave ende nuk ka sistem të menaxhimit të të dhënave mjedisore, për shkak të mungesës së resurseve teknike dhe njerëzore për krijimin, grumbullimin dhe menaxhimin e të dhënave mjedisore. Por vlen të theksohet se disa komuna përpilojnë raporte të rregullta vjetore të cilat përditësohen në mënyrë periodike.

Bashkëpunimi ndërinstitucional në hartimin e politikave publike vlerësohet të jetë i pamjaftueshëm, derisa bashkëpunimi me shoqërinë civile në hartimin e politikave lokale vlerësohet kryesisht si i mjaftueshëm, derisa pjesëmarrja publike është vlerësuar në përgjithësi si jo e mirë.

Sa i përket lejeve mjedisore komunat duhet të shtojnë kujdesin edhe për raportim më efikas të lëshimit të tyre, kjo pasi për disa prej tyre në këtë pjesë dhe për licencat mjedisore nuk ka pas përgjigje.

Në fund të raportit janë adresuar edhe disa rekomandime, si: të shqyrtohen mundësitë për shtimin e punonjësve profesionistë dhe të organizohen trajnime për punonjësit e këtyre sektorëve/drejtorive rreth kornizës ligjore dhe rreth çështjeve mjedisore; të përmirësohet hartimi dhe zbatimi i dokumenteve të planifikimit dhe menaxhimit të mjedisit; të përditësohen planet e nivelit lokal për menaxhim mjedisor së bashku me raportim dhe zbatim të tyre dhe të avancohet bashkëpunimi me nivelin qendror dhe shoqërinë civile në shumë aspekte të çështjeve mjedisore.

Përfillja e këtyre rekomandimeve, do të na dërgonte drejt përmirësimeve dhe plotësimeve në proceset e planifikimit dhe menaxhimit mjedisor, si dhe drejt arritjes së rezultateve më të qëndrueshme në sektorët e mjedisit dhe mbrojtjes më efikase të resurseve natyrore.

Për më shumë klikoni në Multimedia/Publikimet.

Rrjetëzimi