Pjesëmarrja e Publikut në Planifikim Hapësinor

Përmbajtja aktuale e propozim Rregullores mbi Pjesëmarrjen e Publikut në Planifikimin Hapësinor në Komunën e Prizrenit është diskutuar të enjten në një takim të organizuar nga EC Ma Ndryshe. Në këtë debat kanë marrë pjesë përfaqësues të Komunës së Prizrenit përkatësisht drejtorisë së Urbanizimit dhe Planifikimit Hapësinor, anëtarë të Kuvendit, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile dhe banorë të lagjeve të ndryshme.
 
Gjatë takimit janë dhënë rekomandime mbi plotësimin e dispozitave të caktuara të kësaj propozim rregulloreje, me qëllim të avancimit të praktikave të pjesëmarrjes së publikut në planifikimin hapësinor.
 
Nisma për një rregullore të këtillë ka lindur në kontaktet e EC Ma Ndryshe me drejtuesit e Kuvendit të Komunës, që është përcjellë më pastaj me angazhimin e dikastereve të Ekzekutivit komunal, opozitës, shoqërisë civile dhe UN-Habitatit, për hartimin e propozim rregullores në fjalë. Përmes këtij akti nënligjor synohet rritja e pjesëmarrjes së publikut në planifikim hapësinor si dhe ofrimi i kontributit më cilësor për planet e projektet e ndryshme të Komunës.
 
Gjatë procesit për hartimin e kësaj rregulloreje janë mbajtur disa punëtori njëditore, ku kanë marrë pjesë komisioni i propozuar për hartimin e Rregullores, kryesuesi i KK-së, përfaqësues nga opozita, përfaqësues nga DUPH-ja, DSHP-ja, DKRS-ja, UN Habitati si dhe aktivistë nga shoqëria civile. Gjithashtu, Komuna e Prizrenit ka mbajtur edhe një debat publik me qytetarët e Komunës së Prizrenit.

 

Rrjetëzimi