Nxënësit nga Dragashi vizitojnë asetet e trashëgimisë kulturore në Prizren








Nxënësit e SHFMU “Ilmi Bahtijari” nga Blaçi i Komunës së Dragashit kanë marrë pjesë në vizitën me karakter edukativ të realizuar nga EC Ma Ndryshe në asetet e trashëgimisë kulturore në Prizren.
Vizita është organizuar me qëllim të ndërgjegjësimit dhe edukimit të brezave të rinj për rëndësinë e ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore.
Nxënësit nga Dragashi gjatë vizitës kanë pasur mundësinë që të shohin nga afër monumente dhe artefakte të vlefshme historike, të ruajtura për të treguar historinë dhe identitetin kulturor të Prizrenit. Kësisoj ata kanë dëgjuar histori dhe rrëfime për Urën e Gurit, Hamamin e Gazi Mehmed Pashës, Lokalitetin arkeologjik, Lidhjen e Prizrenit, sikurse edhe për Rrapin dhe mullirin në Marash të Prizrenit. Njëherësh kanë vizituar edhe Muzeun Arkeologjik të Rajonit të Prizrenit.
Prezantimet janë përqendruar në rëndësinë e këtyre vendeve historike, duke ndihmuar nxënësit të kuptojnë më mirë dhe të vlerësojnë trashëgiminë kulturore.
Vizita e nxënësve është realizuar në kuadër të projektit "Trashëgimia kulturore për të gjithë: Ruajtja, edukimi, zhvillimi dhe inovacioni" që zbatohet nga EC Ma Ndryshe me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.