Nxënësit nga Dragashi njihen me historinë bashkëkohore të Kosovës në “Reporting House”

Nxënësit e SHFMU “Ilmi Bahtijari” nga Blaçi i Komunës së Dragashit morën pjesë në një vizitë me karakter edukativ në muzeun “Reporting House” në Prishtinë, organizuar nga EC Ma Ndryshe.


Në këtë hapësirë kulturore, ku dokumentimi i së vërtetës takon artin bashkëkohor, nxënësit u njohën nga afër me gazetarinë, fotografinë dhe artefaktet mediatike që ofrojnë dëshmi për zhvillimet në periudhën 1989–1999, nga rezistenca paqësore te lufta e armatosur dhe deri te çlirimi i Kosovës. Muzeu në fjalë paraqet edhe shkeljet e të drejtave të njeriut gjatë periudhës në fjalë, duke e shndërruar këtë hapësirë në një thirrje për kujtesë, drejtësi dhe mësim për brezat e rinj.


Për nxënësit nga Blaçi, kjo vizitë ishte një mundësi për të kuptuar se si media dhe arti ndihmojnë në ruajtjen e së vërtetës dhe ndërtimin e narrativave të qëndrueshme historike.


Javët në vijim vizitat do të vazhdojnë edhe me nxënës nga shkolla të tjera.


Aktiviteti u realizua në kuadër të projektit “Trashëgimia kulturore për të gjithë: Ruajtja, edukimi, zhvillimi dhe inovacioni”, që zbatohet nga EC Ma Ndryshe me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, duke synuar afrimin e të rinjve me trashëgiminë kulturore dhe historinë e vendit.

Rrjetëzimi