Nxënësit eksplorojnë ekosistemet e një liqeni relikt

Nxënësit e shkollave të mesme të ulëta “Naim Frashëri” nga Vlashnja dhe “Emin Duraku” nga Prizreni, gjatë një vizite studimore, janë njohur me vlerat natyrore të Liqenit të Breznës në zonën e Maleve të Sharrit.


Gjatë aktivitetit, ata mësuan se liqeni është një liqen relikt, i mbetur nga periudha të mëhershme klimatike dhe gjeologjike, i cili ofron habitat për lloje të ndryshme bimore dhe shtazore, duke ruajtur kështu biodiversitetin dhe ekosistemet unike të zonës malore.


Ligjërata e udhëhequr nga Arber Hajredini trajtoi dallimet mes ujërave sipërfaqësore dhe atyre nëntokësore, rëndësinë e liqeneve për biodiversitetin dhe komunitetin, si dhe ndikimet që njeriu shkakton mbi ekosistemet ujore.
Nxënësit u njoftuan gjithashtu se si dallohet një liqe nga një lumë, cilat organizma jetojnë në liqene dhe në çfarë mënyre ndotja, ndërtimet dhe peshkimi i tepruar mund të dëmtojnë jetën ujore.


Gjatë vëzhgimeve në terren, ata ekzaminuan zonat më të thella dhe më të cekëta të liqenit, duke parë nga afër se si ndryshojnë kushtet dhe biodiversiteti në secilën pjesë.


Pas vizitës, nxënësit punuan në grupe duke analizuar njohuritë e fituara dhe vëzhgimet direkte. Aktiviteti u mundësoi atyre të kuptojnë më qartë vlerën e liqeneve dhe rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit.

Rrjetëzimi