Nxënësit e shkollave të Prizrenit njoftohen me vlerat e zejeve tradicionale




Në kuadër të përpjekjeve për të ruajtur dhe promovuar zejet tradicionale të Prizrenit, EC Ma Ndryshe ka realizuar një seri diskutimesh në shkollat e Komunës së Prizrenit.
Nxënësit e ShFMU "26 Marsi", ShFMU "Fatmir Berisha", ShFMU "Fadil Hisari" dhe ShMU "Gani Saramati", kanë pasur rastin që të njihen me vlerat e zejeve që janë ende aktive në këtë komunë.
Përmes dokumentarëve të shkurtër, nxënësit kanë dëgjuar rrëfimet autentike të zejtarëve prizrenas, të cilët kanë ndarë përvojat e tyre, pasionin për profesionet e trashëguara dhe sfidat me të cilat përballen sot. Këto tregime të sinqerta janë shoqëruar me diskutime të hapura, ku nxënësit kanë shprehur mendimet dhe idetë e tyre për temën, ndërkohë që është vlerësuar edhe rëndësia e këtyre zejeve për shoqërinë dhe trashëgiminë kulturore.
Aktiviteti ka nxitur diskutime të gjalla mbi vlerën e ruajtjes së zejeve, sfidat e modernizimit dhe mundësitë për përshtatjen e tyre në tregun aktual. Madje nxënësit kanë shprehur interesim për të mësuar më shumë rreth këtyre profesioneve dhe mundësive që ato ofrojnë për të ardhmen.
Ky aktivitet ka për qëllim që të informojë dhe të nxisë kureshtjen e nxënësve për zanatet e vjetra që dikur ishin shtylla kryesore e ekonomisë dhe kulturës së qytetit, dhe janë pjesë e pandashme e trashëgimisë dhe identitetit kulturor të Prizrenit.
Aktiviteti në fjalë është realizuar në kuadër të projektit “Promovimi i trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore për zhvillim të qëndrueshëm në Prizren”, që mbështetet nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport e Komunës së Prizrenit.