Nxënësit e Komunës së Prizrenit vizitojnë muzetë dhe njoftohen me trashëgiminë kulturore

Qindra nxënës të shkollave të Komunës së Prizrenit kanë marrë pjesë në vizitat edukative të organizuara nga EC Ma Ndryshe në Muzeun e Lidhjes së Prizrenit dhe në Muzeun Arkeologjik të rajonit të Prizrenit. Këto vizita janë organizuar me qëllim të ndërgjegjësimit dhe edukimit të brezave të rinj për rëndësinë e ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore.


Nxënësit gjatë vizitave kanë pasur mundësinë që të shohin nga afër objekte dhe artefakte të vlefshme historike, të ruajtura për të treguar historinë dhe identitetin kulturor të Prizrenit. Artefaktet që nxënësit kanë eksploruar përfshijnë dokumente, veshje tradicionale, mjete pune, enë, stoli, dhe objekte të tjera që tregojnë për trashëgiminë e pasur të zonës, e cila është ruajtur dhe transmetuar brez pas brezi.


Përveç kësaj, ata kanë dëgjuar prezantime nga punonjësit e muzeve për historinë e Prizrenit, ngjarjet kryesore dhe figurat e rëndësishme që kanë kontribuar në zhvillimin e kulturës dhe historisë së qytetit. Prezantimet janë përqendruar në rëndësinë e këtyre vendeve historike, duke ndihmuar nxënësit të kuptojnë më mirë dhe të vlerësojnë trashëgiminë kulturore.


Vizitat e nxënësve në muzetë e Prizrenit janë realizuar në kuadër të projektit "Trashëgimia kulturore për të gjithë: Ruajtja, edukimi, zhvillimi dhe inovacioni" që zbatohet nga EC Ma Ndryshe me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Rrjetëzimi