Nxënësit e Komunës së Prizrenit njoftohen me zejet e vjetra dhe trashëgiminë arkeologjike
Qindra nxënës të shkollave të Komunës së Prizrenit kanë marrë pjesë në vizitat tek zejet e vjetra aktive si dhe në Muzeun Arkeologjik të rajonit të Prizrenit të organizuara nga EC Ma Ndryshe. Vizitat grupore të nxënësve kanë shërbyer për ndërgjegjësimin dhe edukimin e brezave të rinj lidhur me artizanatet e trashëguara brez pas brezi, sikurse edhe për t’u njohur më për së afërmi me vlerat e trashëgimisë arkeologjike të rajonit të Prizrenit.
Gjatë këtyre vizitave nxënësit kanë pasur mundësinë që të zbulojnë fshehtësitë e punës së mjeshtërve të dalluar të zejes së filigranit, të plisit dhe të farkëtarisë, duke përfituar njohuri edhe për historikun e këtyre zanateve, dhe rëndësinë e ruajtjes së kësaj tradite në këto anë.
Ndërsa nikoqirët e Muzeut Arkeologjik të rajonit të Prizrenit duke prezantuar para nxënësve artefaktet e ekspozuara kanë dhënë edhe informata shtesë mbi kohën e gjetjes si dhe funksionin që ato kanë kryer, sikurse edhe rëndësinë e dokumentimit e ruajtjes së tyre.
Këto vizita janë realizuar në kuadër të projektit “Trashëgimia kulturore gjithëpërfshirëse” që përkrahet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.