Një kafe me trashëgiminë!

Në oborrin e shtëpisë së Familjes “Kirajtani” që gjendet në rrugën “Shuaip Spahiu”, në Prizren, EC Ma Ndryshe sot ka organizuar një aktivitet ku janë shërbyer pije dhe ëmbëlsira për vizitorët. Shndërrimi një-ditor i kësaj shtëpie në një hapësirë  si “kafeteri” është realizuar me qëllim që të përcillet mesazhi se objektet me vlera të tilla mund të kthehen në destinacione të ndryshme turistike dhe nxitëse të zhvillimit ekonomik njëkohësisht, nga ku të ardhurat do të përmirësonin gjendjen, do të rrisnin vetë-qëndrueshmërinë dhe nivelin e mirëmbajtjes së vlerave të ndërtesave të tilla. Ushqimi dhe pijet tradicionale janë përgatitur nga zonja e shtëpisë e cila njëkohësisht ka luajtur rolin e ciceronit gjatë ardhjes së vizitorëve.

Shtëpia e familjes Kirajtani gjendet në Zonën Historike të Prizrenit dhe është ndërtuar në fillim të shek. XIX. Është shtëpi tradicionale prizrenase. Në katin e parë ka dy dhoma që ndahen mes tyre përmes hajatit, i cili është në formë harkore. Në katin e dytë është vetëm një dhomë, e cila ndodhet sipër hajatit. Dhoma ka çardakun në pjesën e prapme. Nëpër dhoma janë të ruajtur dollapët, jyklykët, dhe orendi tjera. Në dhomën e sipërme, tavani është i punuar me dru të gdhendur, me motive gjeometrike. Shtëpia vazhdon të jetë e banueshme dhe meqenëse përmban karakteristika unike dhe vlera të larta të trashëgimisë kulturore, është vendosur që në bashkëpunim me pronarët të zhvillohet ky aktivitet që promovon vlera dhe vetëqendrueshmëri të ndërtesave të trashëgimisë kulturore.

EC Ma Ndryshe vazhdimisht ka avokuar për shfrytëzimin e potencialit të trashëgimisë kulturore dhe krijimit të vetëqëndrueshmërisë. Së fundmi edhe është duke u realizuar projekti “Revitalizimi dhe Integrimi Socio-Ekonomik i komunitetit lokal në rrugën Marin Barleti në Prizren” në kuadër të të cilit do të trajtohet komplet lagjja dhe ndërtesat e trashëgimisë do të kthehen në shfrytëzim duke ia rikthyer vlerat qytetit të Prizrenit. Projekti është një zgjidhje e përbashkët me banorët, me të cilët janë përcaktuar funksionet e ndryshme të ndërtesave duke i kthyer në përforcues të zhvillimit ekonomik.

Aktiviteti është financuar nga projekti "Përkrahja e Luksemburgut për shoqërinë civile në Kosovë, financuar nga Qeveria e Dukatit të madh të Luksemburgut dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).
 

Rrjetëzimi