Në Prizren përzgjidhet shkolla që do të shëndërrohet në ndërtesë ekologjike
EC Ma Ndryshe ka nisur zbatimin e projektit “EKO Shkolla”, në kuadër të të cilit kishte hapur thirrjen për përzgjedhjen e një shkolle të mesme publike të qytetit të Prizrenit, e cila do të përfitojë nga programi afatgjatë për edukim mjedisor dhe efiçiencë të energjisë. Të drejtë për të qenë pjesë e kësaj gare kanë pasur të gjitha shkollat e mesme publike të qytetit të Prizrenit. Pas përmbylljes së këtij procesi të aplikimit është mbledhur komisioni për shqyrtimin e aplikacioneve nga shkollat e mesme publike të Prizrenit me ç’rast shkolla “Luciano Motroni” është përzgjedhur si përfituese.
EC në kuadër të projektit “EKO Shkolla” ofron një model dhe metodologji që përdoret gjerësisht në vendet e zhvilluara, por që po zgjerohet me shpejtësi edhe në vendet në zhvillim. Përvojat botërore tregojnë se shkolla ekologjike është një fenomen në rritje, i cili nxit të rinjtë të angazhohen në mjedisin e tyre duke u dhënë atyre mundësinë për ta mbrojtur atë në mënyrë aktive.
Përmes këtij projekti ofrohet mundësia që nxënësit dhe mësimdhënësit e shkollës së përzgjedhur të bëhen pjesë e një programi afatgjatë që përmban trajnime, aktivizëm, zbatim nismash dhe promovim mjedisor. Pjesë shumë e rëndësishme e përfitimit që do të ketë shkolla e përzgjedhur është edhe raporti i vlerësimit të efiçiencës së energjisë dhe udhëzuesit për masat ekologjike që do të realizohen nga eksperti i angazhuar. Në bazë të këtyre vlerësimeve shkolla do të përfitojë intervenime direkte në hapësirën e saj, si një tentim tjetër për ta shndërruar atë në një ndërtesë ekologjike.
Ky grant është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA).