Ndriçimi i vendosur në brigjet e lumit dhe në unazën e qytetit pa mirëmbajtje të duhur
Ndriçimi i vendosur në brigjet e lumit dhe në unazën e qytetit nuk po mirëmbahet në mënyrë të duhur. Këto projekte janë realizuar rishtazi, por nga vëzhgimi në terren mund të vërehet se një numër i caktuar i këtyre dritave nuk funksionojnë, ndërkohë që një pjesë e tyre edhe janë të dëmtuara.
Madje telat e ekspozuara mund të paraqesin rrezik për kalimtarët, ndërkohë që kjo pamje sjellë edhe një imazh vizual negativ për qendrën e qytetit.
EC Ma Ndryshe i bën thirrje autoriteteve kompetente që të marrin masa të menjëhershme për mirëmbajtjen e ndriçimit në këto pjesë. Gjithashtu rekomandon organet komunale që projektet e kësaj natyre të zbatohen me cilësi të duhur për të pasur qëndrueshmëri dhe për të shmangur rrezikun për qytetarët, gjithnjë duke pasur parasysh kujdesin për shpenzimin e parasë publike, por edhe konsultimin e duhur me organet e trashëgimisë kulturore, të cilat kanë një rol të rëndësishëm në garantimin e integritetit të kësaj zone.