Ndërhyrjet e paautorizuara cenojnë trashëgiminë arkitekturore të Prizrenit

Ndërhyrjet e paautorizuara që cenojnë trashëgiminë arkitekturore të Prizrenit kanë ndodhur javë më parë edhe brenda kufirit të perimetrit të Qendrës Historike të Prizrenit, konkretisht në rrugën “Rifat Krasniqi”.
Sipas të dhënave zyrtare, punimet për rrënim janë zhvilluar pa lejen e institucioneve kompetente, përkatësisht pa pëlqimin e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, dhe në kundërshtim me vendimin e këtij organi, me të cilin ishte refuzuar kërkesa për rrënimin e ndërtesës ekzistuese në ngastrën përkatëse. Rasti në fjalë nga QRTK është raportuar tek Inspektorati i Komunës së Prizrenit dhe Inspektorati për Trashëgiminë Kulturore – MKRS.
Aktet e tilla që kanë ndodhur sidomos gjatë periudhës elektorale (kujtojmë edhe rastin në rrugën “Astrit Suli”, linku: https://www.facebook.com/photo?fbid=843311241554187&set=pcb.843312101554101) paraqesin shkelje të legjislacionit për trashëgiminë kulturore dhe cenim të karakterit historik të zonës së mbrojtur.
Sipas vlerësimit profesional të QRTK-së, ndërtesa e rrënuar në rrugën “Rifat Krasniqi” në përputhje me Planin e Menaxhimit për Qendrën Historike të Prizrenit kategorizohej si objekt me vlerë potenciale, derisa raporti i vlerësimit nga vera e këtij viti, e klasifikonte atë si ndërtesë të trashëgimisë kulturore që duhej të ruhej dhe konservohej.
EC Ma Ndryshe përkujton se ruajtja e autenticitetit dhe integritetit të Qendrës Historike të Prizrenit është detyrim ligjor dhe përgjegjësi e përbashkët institucionale dhe qytetare. Çdo ndërhyrje e paligjshme në këtë hapësirë cenon trashëgiminë arkitekturore të Prizrenit dhe dëmton potencialin kulturor e turistik të qytetit.



