Ndërgjegjësim për mjedisin dhe hapësirat publike përmes aksionit të pastrimit në Marash të Prizrenit

Me pjesëmarrjen e nxënësve të shkollave të mesme të ulëta “Naim Frashëri” nga Vlashnja dhe “Emin Duraku” nga Prizreni, është realizuar aksioni i pastrimit në afërsi të Parkut të Marashit.
Gjatë këtij aktiviteti vullnetar me karakter ndërgjegjësues, nxënësit kanë mbledhur mbeturinat e hedhura në parkingun dhe shëtitoren pranë Marashit, duke përcjellë mesazhin se mbrojtja e mjedisit duhet të jetë një angazhim i përditshëm i qytetarëve dhe institucioneve.
Parku i Marashit, si një hapësirë e frekuentuar nga qytetarët, kërkon mirëmbajtje të vazhdueshme. Për këtë arsye, aksioni synoi krijimin e një mjedisi më të pastër dhe përmirësimin e imazhit të qytetit. Përmes aktiviteteve të tilla, EC Ma Ndryshe, së bashku me hisedarët e tjerë, synon të rrisë ndërgjegjësimin për kujdesin ndaj hapësirave publike.
Kjo iniciativë, e realizuar edhe në bashkëpunim me Këndin Amerikan në Prizren, ka kontribuar në nxitjen e përgjegjësisë qytetare për mbrojtjen e mjedisit si një nga synimet kryesore të organizimit të këtyre aktiviteteve.



