Muzetë e Kosovës kërkojnë vizion të ri

EC Ma Ndryshe ka organizuar tryezën e diskutimit mbi temën “Institucionet muzeore të Kosovës: Gjendja, Sfidat dhe Perspektivat”.


Qëllimi i kësaj tryeze ka qenë nxitja e një debati gjithëpërfshirës mbi gjendjen aktuale të institucioneve muzeore në Kosovë, rolin e tyre në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore, sfidat me të cilat përballen, si dhe perspektivat për zhvillimin e muzeologjisë në të ardhmen.


Në këtë diskutim kanë marrë pjesë përfaqësues nga MKRS-ja, Muzeu Kombëtar i Kosovës, QRTK Prizren, organizata të shoqërisë civile, hulumtues, ekspertë të fushës dhe hisedarë të tjerë.


Panelistja Flaka Xërxa Beqiri, autore e serisë së hulumtimeve Institucionet Muzeale, ka prezantuar gjetjet e hulumtimeve mbi institucionet muzeale duke vënë në pah se ato duhet të shërbejnë si hapësira për ndërveprim me komunitetin.


Vjollca Aliu nga Muzeu Kombëtar i Kosovës ka folur për politikat dhe prioritetet institucionale për muzeologjinë, duke theksuar nismën për pasurimin e infrastrukturës ligjore.


Samir Hoxha nga QRTK Prizren ka shpalosur përvojën dhe praktikat në menaxhimin e muzeve në rajonin e Prizrenit, për të shtuar se në këtë aspekt ka nevojë për qartësi më të madhe ligjore dhe plotësim e fuqizim të burimeve njerëzore.


Veron Tara nga GUIDEKS ka diskutuar mbi qasjen e publikut në muzetë, rolin e tyre në edukim dhe në turizëm, si dhe idetë për modernizim e tyre.


Gjatë diskutimit janë evidentuar sfidat që kanë muzetë e Kosovës, sikurse kufizimet në burimet njerëzore, pengesat në qasjen fizike për PAK-të si dhe avancimi i përjetimit për vizitorët. Në mesin e rekomandimeve konkrete drejt zhvillimit të politikave dhe praktikave muzeore në nivel qendror dhe lokal me qëllim të forcimit të rolit të tyre në shoqëri, është shtuar edhe ai për nevojën e hartimit të planeve të emergjencave.


Ky aktivitet është realizuar në kuadër të projektit "Trashëgimia kulturore për të gjithë: Ruajtja, edukimi, zhvillimi dhe inovacioni", që përkrahet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Rrjetëzimi