Mjedisi s’ka qenë prioritet i qeverisjes, nevojitet qasje e re
Mjedisi s’ka qenë prioritet i qeverisjes në Kosovë, si në nivelin lokal ashtu edhe në atë qendror, dhe një gjë e tillë duhet të ndryshoj me qëllim të ndalimit të degradimit të mëtejmë dhe përmirësimit të mjedisit jetësor për qytetarët është thënë në konferencën e organizuar në Prizren nga EC Ma Ndryshe. Gjatë konferencës me temën “Përmirësimi i mjedisit jetësor përmes inspektimit dhe rregullimit të hapësirave publike” janë prezantuar gjetjet e hulumtimit lidhur me inspektimin mjedisor në nivel komunal, sikurse edhe praktikat e intervenimeve në hapësirat publike për të shtuar kujdesin ndaj mjedisit. Në panel kanë marrë pjesë znj. Linda Çavdarbasha, zëvendës ministre në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, z. Kujtim Gashi, nënkryetar i Komunës së Prizrenit dhe znj. Rozafa Basha, profesoreshë në Fakultetin e Arkitekturës të Universitetit të Prishtinës.
Në fillim, para të pranishmëve u prezantua raporti i hulumtimit “Mjedisi – prioritet i lënë anash nga komunat” së bashku me gjetjet dhe rekomandimet duke vazhduar më tutje me znj. Nora Simitҫiu e cila prezantoi punën dhe praktikat e zhvilluara përgjatë vitit 2021 në të mirë të mjedisit në kuadër të projektit “Aktivizmi për të drejtat e njeriut dhe mbrojtjes së mjedisit”.
Gjatë fjalës së saj, zëvendës ministrja Çavdarbasha potencoi se me të vërtet mjedisi nuk ka qenë pritoritet nga komunat e as nga niveli qendror, dhe shtoi se për këtë arsye duhet filluar ndryshimet në këtë aspekt. Ajo bëri të ditur se MMPHI aktualisht është e angazhuar në hartimin e politikave publike që kanë për qëllim përmirësimin në sektorin e mjedisit, me ç’rast ka përmendur hartimin e miratimin e disa strategjive nacionale. Sipas saj në agjendë janë edhe plani për reduktimin e qeseve te plastikes, pastaj sistemin e rikthimit te depozitave derisa në fokus është edhe furnizimi me ujë të pijes i qytetarëve. Krahas kësaj ajo ka pranuar se vazhdon që të mbetet shqetësues numri i pamjaftueshëm i inspektorëve, duke sqaruar se MMPHI i ka vetëm 12 të tillë që e mbulojnë tërë territorin e Kosovës, gjë që sipas saj është sfidë e konsiderueshme.
Diskutimi vazhdoi me nënkryetarin Gashi, i cili po ashtu theksoi se mjedisi është problem si për nivelin lokal po ashtu edhe për atë qendror. Mungesa e inspektorëve dhe mekanizmave të nevojshëm sipas tij ia pamundëson komunës rrjedhën normale të angazhimit drejt përmirësimit të kësaj situate. Tutje ai përmendi planet e komunës për vitet në vazhdim duke theksuar kështu zgjerimin e projektit të impiantit të ujërave të zeza për të përfshirë edhe lagjet nga të cilat ujërat e zeza derdhen në Drinin e Bardhë. Sipas tij ndër prioritetet kryesore të qeverisjes aktuale do të jetë edhe shtimi i hapësirave gjelbëruese në Komunën e Prizrenit, derisa do të ketë angazhime edhe për rregullimin e trafikut urban, përmes autobusëve “Green” për të ulur ndotjen e mjedisit, si dhe planet lidhur me krijimin e shtigjeve për biçikletave.
Ndërsa znj. Basha theksoi se ndërtimi është ndotësi më i madh jo vetëm si proces, por edhe për faktin se zvogëlon sipërfaqet e gjelbëruara, kështu që kontribuon komplet në degradim të mjedisit. Ajo prezantoi edhe statistika si dhe shembuj të mirë të shteteve tjera, lidhur me hapësirën e gjelbër për kokë banori, dhe ndikimin e tyre në mjedis dhe në jetën sociale. Po ashtu theksoi që gjatë planifikimit të hapësirave publike duhet aplikuar qasjen gjithëpërfshirëse, ashtu që ato të jenë funksionale për të gjitha grupet e qytetarëve.
Ndërkaq gjatë diskutimit të hapur, pjesëmarrësit të cilët ishin nga fusha të ndryshme kanë shtruar pyetje të shumta lidhur me temën e konferencës, sikurse që kanë adresuar edhe kërkesa për shtimin e projekteve në të mirë të mjedisit, që riciklimi të ketë prioritet, të shtohet inspektimi në aspektin mjedisor dhe në zonat e mbrojtura si dhe të realizohet sa më shpejtë ndërtimi i shtigjeve të biҫikletave.
Në fund fjalën e morri edhe z. Fisnik Sopjani nga CDF i cili e përmbylli diskutimin me inkujarimin që të vazhdohen punë të tilla dhe të paraqiten ide për zgjidhje, ngase angazhimi i përbashkët është i domosdoshëm për përmirësuar gjendjen aktuale.