Menaxhimi i dobët kanosje për mjedisin
EC Ma Ndryshe sot ka mbajtur debatin e shtatë me rradhë në kuadër të ciklit të debateve ''Planifkimi urban me pjesëmarrje'', duke përmbyllur kështu këtë cikël debatesh. Panelistë të debatit ''Mjedisi dhe Planifikimi Urban në Prizren'' ishin Ramadan Tafallari, zyrtar nga Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Myzafer Arifi, ambientalist. Qëllimi i këtij debati ishte diskutimi i të gjeturave të fokus grupeve të mbajtura me shtatë grupe të komunitetit në Prizren, identifikimi i problemeve dhe përkthimi i kërkesave të tyre në plane konkrete dhe adresimi në institucionet përgjegjëse.
Fokusi i debatit të shtatë ishte gjendja e komunitetit të mjedisit në Prizren dhe sfidat e tyre në raport me planifikimin urban. Për të diskutuar mbi temën Mjedisi dhe planifikimi urban në Prizren, të ftuar ishin përfaqësues të këtij komunteti, ambientalistë, aktivistë, përfaqësues të OJQ-ve aktive mbi nevojat dhe kërkesat e këtij komuniteti, përfaqësues të komunës së Prizrenit dhe të organizatave të shoqërisë civile për pjesëmarrje në këtë debat. Çështjet për të cilat u diskutuan në këtë debat ishin: trashëgimia natyrore, zhvillimi i qëndrueshëm mjedisor, lumenjtë, resurset natyrore, ndotja e ajrit, fushat e gjelbëra dhe parqet. Menaxhimi i mbeturinave, jo mirëmbajtja e parqeve, keqpërdorimi i ujit, menaxhimi i varrezave të qytetit dhe mungesa e koordinimit nga ana e autoriteteve lokale, ishin shqetësimet kryesore të ambientalistëve që dolën nga ky diskutim.