Mbetjet e shumta të plastikës rrezikojnë mjedisin dhe qytetarët e Kosovës

Tashmë është bërë zakon që në fillim të pranverës brigjet e lumenjve të ndryshme në Kosovë të ekspozojnë mbeturinat e plastikës. Shishet dhe produktet tjera nga plastika krahas ujërave hasen edhe në hapësirat tjera të gjelbra. Kësisoj shpërfaqet mos kujdesi i dorës së njeriut ndaj mjedisit, por edhe shkalla e gjerë e përdorimit të tyre në përditshmëri. Dhe për fat të keq ky është një trend i përhapur jo vetëm në Kosovë, por në tërë globin.


Ndonëse plastika është një material i rëndësishëm në ekonomi dhe në jetën e përditshme, megjithatë, mund të ketë efekte mjaft negative në mjedis dhe në shëndetin e njeriut.

Për këtë arsye, Dita e Tokës që është shënuar më 22 prill 2024, për temë globale ka pas çështjen e Planetit përballë Plastikës, me kërkesën për reduktimin e 60% të prodhimit të plastikës deri në vitin 2040. Në ballë të arsyetimit qëndron çështja shëndetësore, meqë sipas hulumtimeve plastika paraqet rrezik për njerëzit dhe gjallesat tjera, pasi pengon baraspeshën e ndërlikuar të jetës në Tokë. Prandaj edhe apelohet për ndryshim dhe zgjidhje inovative në këtë drejtim, me përfshirjen e të gjithë hisedarëve (burimi: https://www.earthday.org/planet-vs-plastics/).

Në këtë rrafsh në vitin 2022, shtetet anëtare të OKB-së kanë mbështetur Rezolutën për ti dhënë fund ndotjes nga plastika, që mes tjerash i bën thirrje të gjitha shteteve anëtare të rrisin aktivitetet për ta luftuar ndotjen plastike, duke përfshirë masat që lidhen me konsumin dhe prodhimin e qëndrueshëm, të cilat mund të përfshijnë qasje të ekonomisë qarkore, dhe të zhvillojnë dhe zbatojnë plane kombëtare veprimi, duke nxitur njëkohësisht veprime ndërkombëtare por edhe iniciativa sipas kornizave rregullatore kombëtare dhe, mbi baza vullnetare, për të ofruar informacion statistikor mbi menaxhimin e shëndoshë mjedisor të mbetjeve plastike, duke marrë parasysh rrethanat kombëtare. (burimi: unep.org).

Paralelisht edhe BE-ja ka ndërmarrë veprime për të trajtuar ndotjen plastike me synimin për të përshpejtuar kalimin në një ekonomi qarkore në këtë aspekt. Politikat e BE-së për plastikën synojnë të mbrojë mjedisin dhe shëndetin e njeriut duke reduktuar mbetjet, emetimet e gazrave serrë dhe varësinë nga karburantet fosile. Prandaj angazhimet shkojnë në drejtim të transformimit të mënyrës se si produktet plastike dizenjohen, prodhohen, përdoren dhe riciklohen në BE, pastaj tranzicionit në një ekonomi të qëndrueshme në raport me plastikën, mbështetjes së modeleve më të qëndrueshme dhe më të sigurta të konsumit dhe prodhimit të plastikës, por edhe krijimit të mundësive të reja për inovacion, konkurrencë dhe vende pune, duke nxitur ndryshimin dhe duke ofruar shembuj të mirë në nivel global. (burimi: https://environment.ec.europa.eu/topics/plastics_en).
Ndërkaq Kosova është ende në proces të formimit të një sistemi gjithëpërfshirës të menaxhimit të mbeturinave në vend, ku aspektet kryesore të konceptit të ekonomive qarkore, siç është ripërtëritja e burimeve, zinxhirët e vlerave të produkteve dhe qarkullimi, ku sipas Strategjisë (2021-2030) dhe Planit të Veprimit (2021-2023) për Menaxhimin e Integruar të Mbeturinave në Kosovë, ato parashihet ti udhëheqin sistemet e vendit drejt një menaxhimi më të qëndrueshëm dhe ekonomikisht më të favorshëm dhe më modern të burimeve të saj.

Sipas raporteve të fundit të Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit në Kosovë, trajtimi dhe sidomos riciklimi i mbeturinave mbetet një sfidë, ku përkundër disa iniciativave për të ofruar qasje në ndarjen në burim të mbeturinave të riciklueshme si: plastikës, letrës, kartonit, aluminit, dhe mbeturinave organike, kjo megjithatë kjo mbetet e paqëndrueshme.

Të dhënat e ASK-së për mbeturinat e trajtuara në vitin 2022 tregojnë se gjithsej sasia e mbeturinave të ricikluara ka qenë 22,882 ton, ndërsa, gjithsej sasia e mbeturinave të trajtuara dhe të deponuara në vitin 2022 ishte 521,172 ton, ku krahasuar me të dhënat e vitit 2021, ka një rritje prej 3,0%. Sasia e mbeturinave nga plastika të ricikluara ka qenë vetëm 8,519 ton. (burimi: https://ask.rks-gov.net/Releases/Details/7597).
Hulumtimet e realizuara në vitet e mëparshme nga EC Ma Ndryshe me qytetarët e Prizrenit dhe të Suharekës kanë treguar se pjesa dërmuese e tyre do të hiqnin dorë nga përdorimi i plastikës nëse ato do të kushtëzoheshin me pagesë.

Aktualisht në Kosovë lidhur me këtë çështje ka përpjekje për përqafimin e standardeve evropiane, ndonëse zbatimi akoma po realizohet me hapa të ngadalshëm, dhe pa një shtrirje të gjerë për përfshirjen e komunitetit.

Megjithëkëtë, hyrja në fuqi në verën e vitit të shkuar e Udhëzimit Administrativ 07/2023 për Ambalazhin dhe Mbeturinat e Ambalazhit është inkurajues lidhur me objektivat për reduktimin e përdorimit të qeseve plastike, ndërkohë që Sistemi i Rimbursimit të Depozitave (SRD) parashihet të fillojë së zbatuari nga 1 janari i vitit 2025.

Prandaj është e domosdoshme që secili individ të veprojë përgjegjshëm dhe të ofrojë kontributin drejt eliminimit të mbeturinave të plastikës në natyrë, ndërkohë që autoritetet duhet të veprojnë me përkushtim më të madh drejt masave adekuate për ripërdorimin e ambalazhit, ricikilimin e mbeturinave, zvogëlimin e deponimit të tyre dhe tranzicionin më të shpejtë drejt një ekonomie qarkore.

Rrjetëzimi