Mbahet takimi me hisedarët për sfidat e menaxhimit të Pellgjeve Lumore në Prizren

EC Ma Ndryshe ka mbajtur takim konsultativ me qytetarët, përfaqësuesit e institucioneve lokale, agjencive qendrore, mediave, bujqit e peshkatarët nga Komuna e Prizrenit, për të diskutuar rreth sfidave të menaxhimit të Pellgjeve Lumore në këtë komunë.


Takimi ka krijuar një hapësirë të hapur për diskutime mbi ndikimet e ndotjes dhe devijimeve të lumenjve në mjedis dhe biodiversitet. U theksua rëndësia e përfshirjes aktive të komunitetit në proceset e planifikimit dhe vendimmarrjes për mbrojtjen e burimeve ujore, ndërsa pjesëmarrësit ndanë shqetësimet, përvojat dhe propozimet e tyre për një menaxhim më të qëndrueshëm të lumenjve.


Gjatë diskutimit u theksuan probleme të shumta që lidhen me ndotjen dhe keqmenaxhimin e lumenjve në rajonin e Prizrenit, përfshirë mbeturinat inerte, ujërat e zeza, eksploatimin e zhavorrit, ndërtimet ilegale dhe mungesën e impianteve funksionale. U përmend edhe mungesa e kapaciteteve njerëzore dhe financiare të autoriteteve qendrore dhe atyre lokale, sikurse edhe ndikimet negative në biodiversitet, sidomos te peshqit.


Si masa u propozuan pastrime të shtratit të lumit, restaurimi i habitateve, ndërtimi i impianteve të vogla, bashkëpunimi me akademinë, krijimi i ekonomisë së peshqve, ristrukturimi i menaxhimit të sistemit për ujitje, vetëdijesimi i të rinjve dhe rritja e transparencës në menaxhimin e resurseve ujore.


Ky aktivitet synon të sjellë zërin e komunitetit më afër institucioneve dhe të nxisë veprime gjithëpërfshirëse për ruajtjen e ekosistemeve ujore në Prizren.

Rrjetëzimi