Mbahet Shkolla për Planifikim dhe Zhvillim Urban
Gjatë datave 21-23 shtator 2018 në Durrës është mbajtur Shkolla për Planifikim dhe Zhvillim Urban. Qëllimi kryesor i ligjëratave në kuadër të kësaj shkolle është ngritja e nivelit të njohurisë tek pjesëmarrësit mbi rolin e zbatimit të standardeve europiane në planifikim hapësiror dhe parandalimin e keqpërdorimeve në sektorin e ndërtimit. Këtu përfshihen politikat strategjike që kanë të bëjnë me planifikim hapësinor, mekanizmat e zbatimit të ligjit, me fokus të veçantë në rëndësinë e aplikimit të politikave për parandalimin e krimit të organziuar dhe korrupcionit në sektorin e ndërtimit. Ligjëratat e kësaj punëtorie janë përgatitur për t’i plotësuar nevojat e pjesëmarrësve në fushat përkatëse dhe janë udhëhiqur nga ligjërues nga Kosova dhe të jashtëm.
Ligjëratat janë fokusuar në mekanizmat institucionale dhe ligjore në fushën e planifikimit hapësiror, hierarkinë e planeve hapësirore dhe nivelin e zbatimit të tyre,keqpërdorimet në sektorin e ndërtimit dhe sigurinë e punëtorëve në punë. Pjesëmarrës në këtë shkollë ishin përfaqësues të institucioneve lokale dhe qendrore, student, përfaqësues të OJQ-ve, përfaqësues të byrove projektuese si dhe media.
Në ditën e parë të kësaj shkolle janë mbajtur sesione nga Elvida Pallaska mbi temën “Planifikimi hapësiror në Kosovë në raport me Standardet Europiane/ Hierarkia e planeve hapësirore dhe niveli i zbatimit të tyre në Kosovë” dhe Ardita Byci mbi “Sfidat gjatë hartimit të planeve hapësinore dhe rëndësia e planifikimit me pjesëmarrje”. Kurse gjatë ditës në vijim pjesëmarrësit kanë pasur mundësinë që të informohen më shumë rreth temës “Sfidat e parandalimit të keqpërdorimeve në sektorin e planifikimit dhe ndërtimit “ nga Fisnik Minci dhe të marrin njohuri mbi “Përvojat e Shqipërisë në fushën e panifikimit hapësiror dhe rekomandimet për tejkalimin e sfidave në këtë sektor” nga Arben Ura.
OJQ “EC Ma Ndryshe” me përkrahje të Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS) në vitin e 2015 ka nisur organizimin e Shkollës për Planifikim dhe Zhvillim Urban dhe tashmë këta pjesëmarrës i përkasin gjeneratës së katërt që dalin nga kjo shkollë.