Mbahet sesioni ndërveprues me nxënësit e Prizrenit për ndryshimet klimatike dhe hapësirat publike

Organizata EC Ma Ndryshe ka realizuar sesionin interaktiv me shkollën “Fadil Hisari” në Prizren me qëllim të përfshirjes së gjeneratave të reja në diskutimet dhe njohuritë mbi ndryshimet klimatike dhe ndikimin urbanistik. Ky aktivitet synon të rrisë ndërgjegjësimin e nxënësve për rëndësinë e zhvillimit të qëndrueshëm urban, veçanërisht për shfrytëzimin e përgjegjshëm dhe gjithëpërfshirës të hapësirave publike.
Gjatë këtij takimi, nxënësit patën mundësi të informohen për sfidat që lidhen me ndryshimet klimatike dhe mënyrën se si planifikimi urban mund të kontribuojë në zbutjen e ndikimeve të tyre në komunitet.
Përveç prezantimit informues, aktiviteti u shoqërua edhe me ushtrime praktike dhe diskutime të hapura, përmes të cilave nxënësit reflektuan mbi sfidat që i shohin në mjedisin e tyre dhe paraqitën ide dhe propozime për zgjidhje të mundshme në të ardhmen.
Ky sesion krijoi një hapësirë të rëndësishme për të dëgjuar perspektivën e të rinjve dhe për t’i përfshirë ata në proceset e mendimit kritik rreth zhvillimit të qëndrueshëm të qytetit, me përqendrim në hapësira publike më funksionale dhe gjithëpërfshirëse.
Ky aktivitet është realizuar në kuadër të projektit ‘Public Spaces 4 All’, të zbatuar nga EC Ma Ndryshe, me mbështetje nga Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ) dhe Sekretariati Shtetëror i Zvicrës për Çështje Ekonomike (SECO), përmes GIZ Kosova.



