Kuvendi i Prizrenit miraton Kartën e Qytetin

Anëtarët e Kuvendit të Komunës së Prizrenit, në seancën e rregullt të mbajtur të premten, kanë miratuar me shumicë votash Kartën e Qytetit: “E Drejta mbi Qytetin  e Prizrenit”.  Karta e Qytetit si akt ka për qëllim që të promovojë dhe fuqizojë të drejtat e njeriut për të gjithë qytetarët e Komunës së Prizrenit, në kuadër të menaxhimit të përgjithshëm të qytetit.
 
Ky akt parashihet që të zbatohet në raport me të gjithë qytetarët, pa diskriminim, në përputhje me detyrat dhe përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore të Komunës së Prizrenit. Njëkohësisht zbatimi i të drejtave të përshkruara në këtë Kartë paraqet vetëm një instrument plotësues dhe përforcues për të drejtat ekzistuese në nivel vendor dhe ndërkombëtar.
 
Karta në fjalë më shumë ka kuptimin e një deklarate të parimeve, që shërben si mjet për reformimin urban, duke përqafuar praktikat e qeverisjes së mirë dhe të gjithëpërfshirjes, si dhe aktivizmin qytetar. Pos dispozitave për të drejtat mbi qytetin e Prizrenit, propozimi në fjalë përmban edhe mekanizmat e zbatimit të Kartës së Qytetit.
 
Hartimit të kësaj karte i ka paraprirë procesi i konsultimit disa javor me grupet e nën-përfaqësuara të qytetit, si: komuniteti i të rinjve, grave, të moshuarve, Personave me Aftësi të Kufizuara, komuniteti i kulturës, sikurse edhe diskutimi me zyrtarët komunalë të dikastereve të ndryshme.
 
Karta e Qytetit “E Drejta mbi Qytetin e Prizrenit” bazohet në këto vlera dhe parime: dinjiteti i qytetarëve; liria, barazia dhe mos-diskriminimi, pjesëmarrja e qytetarëve dhe gjithëpërfshirja në politikat publike të Komunës, qëndrueshmëria sociale dhe mjedisore  si dhe bashkëpunimi dhe solidariteti mes qytetarëve, i Komunës me qytetarët dhe anasjelltas.

Nisma për Kartën e Qyteitit është  pjesë e projektit "Rikthimi i qytetit - E Drejta mbi Qytetin për grupet e nënpërfaqësuara të komunitetit në Prizren"  që përkrahet financiarisht nga National Endowment for Democracy. Projekti është një përpjekje për të mbështetur grupet e nënpërfaqësuara të komunitetit për të fituar dhe gëzuar plotësisht të drejtën e tyre mbi qytetin (dhe të drejtat e njeriut) nëpërmjet aktivizmit dhe mobilizimit për të nxitur reformën demokratike të planifikimit urban në Prizren.

Rrjetëzimi