KOMUNITETET JO-SHUMICË MBETEN TË NËN-PËRFAQËSUAR SA I PËRKET PUNËSIMIT NË SEKTORIN PUBLIK

Pjesëtarët e komuniteteve jo-shumicë që jetojnë në Kosovë prej shumë vitesh ankohen për mos respektim të legjislacionit në fuqi sa i përket punësimit të tyre në sektorin publik. Sipas tyre përqindja e përfaqësimit të tyre në shërbimin civil nuk është përmbushur dhe për më keq institucionet as nuk ofrojnë statistika të qarta lidhur me këtë çështje.

Komuna e Prizrenit veçohet si një qendër shumëetnike me diversitet të pasur kulturor. Por edhe në këtë komunë, pjesëtarët e komuniteteve theksojnë se institucionet e nivelit lokal dhe atij qendror nuk e respektojnë kuotën për punësimin e pakicave etnike në sektorin publik. Shqetësimet e kësaj natyre deri më tani janë shprehur në forume të ndryshme, derisa edhe përpjekjet e Komitetit për Komunitete për të sensibilizuar vendimmarrjen drejt zbatimit të obligimeve ligjore nuk kanë prodhuar ndonjë rezultat konkret.

Përfaqësues të komunitetit turk kanë vënë në pah nevojën e publikimit të statistikave nga institucionet përgjegjëse, si Qeveria e komunat, në mënyrë që komunitetet jo-shumicë të kenë një pasqyre dhe bazuar në këto të dhëna të orientojnë angazhimin e tyre për zbatimin e legjislacionit në bashkëpunim me institucionet relevante. Sipas tyre raportet e institucioneve për këtë çështje janë të mangëta.

Përfaqësues të komunitetit boshnjak kanë përkujtuar se sa i përket punësimit me legjislacionin aktual parashihet që komunitetet jo-shumicë në nivelin qendror të përfaqësohen në 10 për qind të posteve, gjë që sipas tyre nuk po respektohet jo vetëm tani por me vite të tëra. Sipas tyre përqindja përkatëse nuk po respektohet as në nivelin komunal.  

Përfaqësues të komunitetit ashkali kanë theksuar se bashkë me komunitetin rom dhe atë egjiptian janë në pozitën më të pafavorshme, ndërkohë që nuk ka pasur masa adekuate nga institucionet për punësimin e pjesëtarëve të këtyre komuniteteve në sektorin publik, pavarësisht kërkesave të bëra.

Sipas legjislacionit në fuqi, në kuadër të shërbimit civil në institucionet e nivelit qendror minimum 10 për qind e posteve duhet të rezervohen për personat të cilët u përkasin komuniteteve të cilët nuk janë shumicë në Kosovë dhe që përmbushin kriteret specifike të punësimit, derisa në nivelin komunal për anëtarët e kualifikuar të komuniteteve që nuk janë shumicë në komunë, parashihet të jetë i rezervuar numri i vendeve të punës në pajtim me përfaqësimin procentual të komuniteteve të komunës përkatëse.

Njëkohësisht edhe Ligji për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre në Republikën e Kosovës parasheh që pjesëtarët e pakicave etnike kanë të drejtë në përfaqësim të barabartë në punësim në të gjitha nivelet në ndërmarrjet publike, institucionet publike, përfshirë sektorin e sigurisë, gjyqësorin, shërbimin e prokurorisë, agjencitë qeveritare që kanë të bëjnë me administrimin e drejtësisë dhe shërbimet korrektuese, mbrojtjen, sigurinë dhe inteligjencën.

Mirëpo raporti i fundit i Bashkimit Evropian për Kosovën ka konstatuar se pakicat etnike mbeten të nën-përfaqësuar sa i përket punësimit në sektorin publik. “Punësimi i personave që u përkasin komuniteteve joshumicë në sektorin publik bie nën pragun prej 10 për qind të paraparë me legjislacionin përkatës. Këta persona mbeten përgjithësisht të nën-përfaqësuar në shërbimin civil në të gjitha nivelet”, shkruan në raport.

Në këtë drejtim, gratë e pakicave etnike janë në pozitë edhe më të vështirë, ani pse me ligj parashihet që Republika e Kosovës të sigurojë barazi edhe në punësim, sikurse edhe marrjen e masave të veçanta nga institucionet kundër këtij diskriminimi.

Raporti i fundit i Bashkimit Evropian për Kosovën, në lidhje me mosdiskriminimin në punësim dhe politikën sociale, ka theksuar se Kosova duhet të intensifikojë përpjekjet për të adresuar diskriminimin ndaj grave, ndër të tjera duke miratuar legjislacionin zbatues për Ligjin për Mbrojtjen nga Diskriminimi, me ç’rast autoritetet duhet të trajtojnë diskriminimin ndaj grave, veçanërisht atyre që u përkasin komuniteteve jo-shumicë.

Prandaj, institucionet përgjegjëse duhet ti ndryshojnë praktikat e deritanishme, si duke i publikuar të dhënat dhe statistikat e sakta të punësimit në sektorin publik, ashtu edhe duke ndërmarrë veprime konkrete për përmbushjen e obligimeve ligjore në raport me punësimin e komuniteteve jo-shumicë nw sektorin publik. Institucionet përgjegjëse kanë për obligim që të jetësojnë në praktikë dispozitat ligjore, me të cilat theksohet se Republika e Kosovës garanton barazi të plotë dhe efektive për të gjithë qytetarët, ku shumëllojshmëria e saj kombëtare, etnike, gjuhësore dhe fetare konsiderohet si një burim force dhe pasurie për zhvillimin e mëtejshëm të një shoqërie demokratike që bazohet në sundimin e ligjit, ndërkohë që për zhvillimin e Republikës së Kosovës, inkurajohet dhe çmohet kontributi aktiv i të gjithë personave që iu përkasin komuniteteve.

Rrjetëzimi