Komunat e mëdha me sfida të shumta në qeverisje
Në kuadër të projektit Indeksi i Reformës së Transparencës Komunale, EC Ma Ndryshe ka shqyrtuar të gjeturat e Raporteve të Auditimit për Pasqyrat Financiare të Komunave Prishtinë, Prizren, Pejë, Gjakovë, Mitrovicë, Ferizaj dhe Gjilan të vitit 2014.
Të gjeturat e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm (ZAP) për vitin 2014 kanë konstatuar se komunat e mëdha të Kosovës përballen me sfida serioze në qeverisje. Auditori ka vlerësuar se aranzhimet e përgjithshme të qeverisjes kërkojnë forcim, meqë ka dobësi në menaxhimin e sistemeve kryesore.
Në bazë të këtyre raporteve del se pothuajse në të gjitha komunat e lartpërmendura kontrollet mbi procesin e planifikimit, arkëtimit dhe raportimit të të hyrave nuk janë analizuar në mënyrë të qëndrueshme, me çrast tatimi në pronë, lejet e ndërtimit dhe të hyrat nga qiradhënia aposhfrytëzimi i pronës komunale paraqiten si zërat më problematikë.
Në të njëjtën kohë është theksuar se edhe kontrollet mbi një sërë fushash të shpenzimeve kërkojnë përmirësim të mëtejshëm në mënyrë që të parandalohet mundësia që komunat të kenë humbje financiare, vlerë të dobët për paranë dhe menaxhim jo efektiv të projekteve.
Dobësitë në këtë drejtim janë hasur kryesisht në fushën e prokurimit dhe kontrollin efektiv për të siguruar realizim cilësor të punëve.
Një tjetër shqetësim që konfirmohet nga Raportet e Auditimit është edhe niveli i lartë i llogarive të arkëtueshme (borxheve të paarkëtuara), që janë grumbulluar përgjatë vitesh, kryesisht nga tatimi në pronë, taksat komunale, qiraja e pronës komunale, lejet ndërtimore, etj.
Rritja e vazhdueshme e këtyre llogarive sipas Auditorit ka ndodhur për shkak se komunat nuk kanë arritur të vendosin mekanizma efektiv për inkasimin e tyre dhe as që kanë përpiluar ndonjë strategji mbi veprimet që duhet të ndërmerren për mbledhjen e llogarive të arkëtueshme.
Ndërkohë edhe borxhet e papaguara nga ana e komunave sipas Auditorit reflektojnë një menaxhim jo të duhur të aktiviteteve buxhetore, meqë është hyrë në obligime përkundër faktit se ekzekutimi i buxhetit nuk është në shkallën qind për qind.