Komuna e Prizrenit ta rishikojë dhe përmirësojë procesin e ndarjes së subvencioneve për kulturë e rini
Komuna e Prizrenit më datë 16 maj 2018 në ueb faqen e saj zyrtare ka publikuar njoftimin me titull “DKRS ndanë subvencione për kulturë dhe sport”, me ç’rast ka bërë të ditur se kjo drejtori, në bazë të vlerësimit të Komisionit të përzgjedhur ka ndarë subvencione me shumë prej 68,300 euro në kulturë dhe rini dhe njëherësh është publikuar edhe lista e përfituesve.
Lidhur me këtë çështje, EC Ma Ndryshe ka kërkuar sqarime nga DKRS-ja, e cila drejtori ka bërë të ditur se bëhet fjalë për një propozim-vendim të Komisionit drejtuar Kryetarit të Komunës, i cili duhet të merr vendimin përfundimtar.
Në këtë situatë EC ka vendosur që t’i adresojë disa shqetësime dhe rekomandime te Kryetari i Komunës, me qëllim që gjatë marrjes së vendimit për ndarje të subvencioneve për kulturë të ketë parasysh rregullsinë dhe përputhshmërinë e procesit me legjislacionin në fuqi sikurse edhe shmangien e konfliktit të mundshëm të interesit.
Çështja e parë problematike në këtë proces është emërimi i anëtarëve të Komisionit për shqyrtimin dhe vlerësimin e kërkesave, aplikacioneve (projekteve) të individëve dhe subjekteve të ndryshme nga fusha e kulturës dhe rinisë të cilat kanë aplikuar në thirrjen publike për mbështetje financiare nga lëmi i kulturës dhe rinisë në komunën e Prizrenit për vitin 2018. Kjo ngase anëtare e Komisionit në fjalë me vendimin e kryetarit të Komunës të datës 6 prill 2018 është caktuar një zyrtare e emëruar politike, përkatësisht shefja e kabinetit të kryetarit. EC përkujton se Rregullorja 04/2017 e Ministrisë së Financave mbi kriteret, standardet dhe procedurat e financimit publik të OJQ-ve në nenin 8 paragrafi 7 thekson se “anëtarë të komisionit vlerësues nuk mund të jenë të emëruarit politik”.
Çështja e dytë që meriton vëmendje në këtë proces është se Komisioni për shqyrtimin dhe vlerësimin e kërkesave ka propozuar subvencionimin e dy OJQ-ve, anëtaret e të cilave janë njëherësh anëtare të Komisionit në fjalë, ani pse ato paraprakisht janë nominuar si përfaqësuese të grupeve të organizatave. Rregullorja 04/2017 e Ministrisë së Financave mbi kriteret, standardet dhe procedurat e financimit publik të OJQ-ve në nenin 8 paragrafi 4 thekson se “përveç anëtarëve të rregullt të Komisionit Vlerësues nga paragrafi 3 i këtij neni, ofruesi i mbështetjes financiare duhet të parasheh me vendim edhe një anëtar rezervë, i cili do të zëvendësojë në rast nevoje anëtarin e Komisionit Vlerësues i cili ka konflikt interesi”. Bazuar në vendimin e kryetarit të Komunës të datës 6 prill 2018, del se Komisioni Vlerësues nuk ka pas anëtar rezervë.
Çështja e tretë sfiduese në lidhje me ndarjen subvencioneve për kulturë dhe rini është ndarja e mjeteve për ShKA “Agimin”. Në përgjigjen e DKRS-së thuhet se këto mjete do të menaxhohen nga strukturat udhëheqëse të SHKA "Agimi" dhe se kjo do të monitorohet nga Komuna përmes Komisionit për mbikëqyrjen apo monitorimin e realizimit të projekteve. Mirëpo EC përkujton kreun e Komunës se procesi për kristalizimin e situatës në këtë SHKA ende nuk është përmbyllur, ndërkohë që duhet të mbahet edhe një Kuvendi Zgjedhor demokratik për zgjedhjen e strukturave udhëheqëse të ShKA-së.
EC konstaton se vendimi i kryetarit të Komunës i datës 6 prill 2018 për formimin e Komisionit vlerësues nuk i ka respektuar dispozitat e rregullores 04/2017 të MF-së mbi kriteret, standardet dhe procedurat e financimit publik të OJQ-ve. Po ashtu konsideron se propozim-vendimi i Komisionit vlerësues përmban elemente të konfliktit të interesit.
Prandaj, EC rekomandon kryetarin e Komunës që të zbatojë dispozitat e rregullores 04/2017 të Ministrisë së Financave mbi kriteret, standardet dhe procedurat e financimit publik të OJQ-ve, ashtu që të emëruarit politik të mos jenë anëtarë të Komisionit vlerësues. Po ashtu kërkon nga kryetari që të sigurojë që Komisioni vlerësues të ketë anëtarë rezervë, me qëllim të shmangies së konfliktit të interesit dhe evitimit të çfarëdo dyshimi mbi paanshmërinë e anëtarëve të Komisionit. Për këto arsye EC i bën thirrje kryetarit të Komunës që të rishikojë dhe përmirësojë tërë procesin e ndarjes së subvencioneve për kulturë dhe rini, duke vepruar në përputhje me legjislacionin si dhe praktikat e mira të qeverisjes.