Komuna e Prizrenit lë brendimin e qytetit në mëshirë të tenderëve

Komuna e Prizrenit më 17 mars 2020 ka shpallur procedurë të hapur tenderuese për projektin “Krijimi dhe mirëmbajtja e brendit për qytetin e Prizrenit”, duke mos i përfillur rekomandimet e dhëna për brendim, të paracaktuara në Planin e Menaxhimit të Qendrës Historike të Prizrenit 2019-2028. Për më tepër kjo thirrje përcakton vetëm kriteret financiare të cilat duhet t’i përmbushin operatorët potencial ekonomik dhe nuk i ka për bazë kriteret esenciale profesionale të përcaktuara nga dokumenti i lartcekur lidhur me brendimin e qytetit të Prizrenit.

Brendimi i një vendi, duke përfshirë marketingun dhe promovimin e tij, është një proces i rëndësishëm i krijimit të imazhit të një tërësie kompozicionale, duke pasur për qëllim identifikimin dhe vënien në pah të potencialeve kryesore të qytetit për komunitetin dhe për publikun e jashtëm të synuar. Si i tillë, RrOK konsideron që brendimi duhet të jetë një dokument i besueshëm, i matshëm dhe i prekshëm në mënyrë që të fuqizojë aspektin identitar të qytetit të Prizrenit, ashtu siç e përcakton edhe Plani i Menaxhimit.

Në qershor të vitit të kaluar është përmbyllur konsultimi publik përfundimtar i Planit të Menaxhimit të Qendrës Historike të Prizrenit 2019-28, një plan i përpjekjeve shumë vjeçare të institucioneve dhe shoqërisë civile të Prizrenit për mbrojtjen dhe zhvillimin e qendrës historike të qytetit.

Ky plan, i iniciuar dhe financuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë e Sporteve dhe i përkrahur nga Komuna e Prizrenit dhe i zbatuar nga Rrjeti i Organizatave të Kulturës në Prizren, që ende nuk është miratuar nga Kuvendi i Komunës, trajton si kapitull të veçantë temën e brendimit të qytetit të Prizrenit. Në këtë kapitull theksohet se përpilimi i detyrës projektuese të konkursit për brendim të qytetit duhet bazuar në hapat në vijim: 1. Hulumtimi i materialeve arkivore rreth brendimit të qytetit të Prizrenit, me fokus në mbledhje të informatave për këto fusha: aktivitetet kulturore, trashëgimia kulturore dhe shpirtërore dhe vlerat ambientale; 2. Hapja e konkursit (ndërkombëtar) më shifër për metodologji të brendimit; 3. Organizimi i punëtorive specifike tematike për brendim të qytetit dhe formulimin e narracionit kolektiv sipas fushave të mësipërme; 4. Aplikimi i metodave të ndryshme të gjithëpërfshirjes qytetare në tematikë të brendimit (pyetësor në terren, pyetësor online në ueb faqen e komunës, konkurs fotografie, dhe konkurse tjera të ngjashme gjithëpërfshirëse etj); 5. Dizajnimi dhe zhvillimi i brendit (përfshirë anën tekstuale, konceptuale dhe pamore); 6. Dizajnimi i elementeve dhe shenjave urbane bazuar në brendimin e përgjithshëm të qytetit (përfshirë edhe shenjat orientuese për këmbësorë për trashëgimi kulturore e natyrore); 7. Aplikimin e brendit në mediume të ndryshme dhe target audienca të ndryshme dhe 8. Monitorimi i brendit dhe menaxhimi. Për dokumentin e plotë të PMQHP dhe kapitullin e brendimit (fq.197-207) shih vegëzën në vijim: https://konsultimet.rks-gov.net/viewConsult.php?ConsultationID=40669

Bazuar në faktet listuara më sipër, RrOK bën thirrje që të ri-shqyrtohet lënia në dorë e procesit të brendimit në duart e operatorëve ekonomik dhe i bën thirrje Komunës së Prizrenit që të përqendrohet në rekomandimet e dala nga Plani i Menaxhimit, duke krijuar mundësi për përfshirjen e komunitetit, profesionistëve dhe shoqërisë civile në këtë proces të rëndësishëm për qytetin.

RrOK konsideron se Komuna e Prizrenit duhet të hartojë një proces gjithëpërfshirës të hartimit të procesit të brendimit të qytetit dhe jo ta reduktojë vetëm në një tender të formës së dizajnit grafik. Procesi i brendimit duhet të jetë fillimisht proces i hapur e transparent me publikun dhe më pas të përfundojë apo kulmojë me interpetimin grafik të saj. Prandaj kërkohet nga Komuna e Prizrenit që urgjentisht të anulojë këtë aktivitet të prokurimit, ku afati për dorëzimin e ofertave ka qenë 6 prill 2020. 

Organizatat përkrahëse:


EC Ma Ndryshe
Fondacioni Lumbardhi
Fondacioni Legatum
Dokufest
NGOMfest
Durmish Aslano
Autostrada Biennale
X40

Rrjetëzimi