Komuna e Prizrenit ende e pafuqishme për vendosjen e rregullit urbanistik
Komuna e Prizrenit po tregohet e pafuqishme sa i përket vendosjes së rregullit urbanistik në ndërtimet e ndryshme, si në Qendrën Historike të Prizrenit ashtu edhe në zonat tjera të qytetit. Në pesë muajt e parë të këtij viti janë identifikuar së paku pesë raste të ndërtimeve me tejkalime të pëlqimeve të lëshuara nga autoritetet e trashëgimisë kulturore apo të lejeve ndërtimore të lëshuara nga Drejtoria e Urbanizimit dhe Planifikimit Hapësinor.
Në mesin e këtyre rasteve nga organet përkatëse është konstatuar mbindërtimi i një kati pa lejen e DUPH-së në objektin kolektiv banesor në rrugën "Xhemil Fluku", pastaj ndërtimi i një aneksi pa leje ndërtimore në ndërtesën e banimit kolektiv në rrugën “Adnan Krasniqi”, dhe po ashtu në një ndërtim të objektit individual në rrugën "Rifat Krasniqi", ku te ndërtimi i nënkulmit është evidentuar tejkalimi i lejes së lëshuar nga DUPH-ja. Gjithashtu janë identifikuar punime në një ngastër kadastrale në rrugën "Brigada Proletare" në zonën e Nënkalasë në Qendrën Historike të Prizrenit ndonëse ka pretendime se ka skadim te aktit administrativ për këtë lëndë. Ndërkohë edhe në një rast në rrugën "Bujtinat" është vërejtur mos respektimi i vendimit të lëshuar nga autoritetet e trashëgimisë kulturore, ku përkundër rekomandimeve të dhëna të gjitha hapësirat janë shfrytëzuar për ndërtim dhe ka tejkalim të lartësisë së përdhesës.
EC përkujton se gjatë dy dekadave të fundit, Prizreni është përballur me parregullsi urbanistike, që ka pasur efekt negativ edhe në zonën historike. Praktikat e tilla kanë ndikuar në degradimin e vlerave të trashëgimisë kulturore, gjë e cila ndikon negativisht në përpjekjet për zhvillim të qëndrueshëm lokal. Këto praktika kanë pasoja edhe në mjedisin dhe infrastrukturën urbanistike ku në fund pësojnë qytetarët. Prandaj, EC konsideron se ka ardhur koha që institucionet të veprojnë me forcën e ligjit për të vendosur rendin urbanistik. Për këtë arsye rekomandon organet komunale dhe institucionet tjera që kanë kompetencë në këtë fushë që të shtojnë praninë në terren, për të vepruar në mënyrë urgjente dhe konkrete për parandalimin e rasteve të tilla, në mënyrë që mos të krijohen precedentë edhe për raste tjera të ngjashme. Gjithashtu i bën thirrje të gjitha palëve që të veprojnë sipas dispozitave të legjislacionit në fuqi dhe punimet ndërtimore të realizohen vetëm konform lejeve ndërtimore të marra nga organet përkatëse.