Komisioni Evropian evidenton progresin e kufizuar të Kosovës në mbrojtjen e mjedisit dhe veprimet klimatike
Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën i publikuar në vitin 2024 (http://bit.ly/4fg0vjO) ka vënë në pah se sa i përket mjedisit dhe ndryshimeve klimatike Kosova është në një fazë të hershme të përgatitjes dhe se ka bërë përparim të kufizuar. Në këtë aspekt, miratimi i Ligjit për Ndryshimet Klimatike në dhjetor 2023 është vlerësuar si zhvillimi i vetëm të rëndësishëm.
Ndërkohë kapacitetet administrative dhe burimet njerëzore në të gjithë sektorin, sipas BE-së, janë në një nivel tejet të ulët, duke përbërë një pengesë të rëndësishme për zhvillimin e tij të drejtë dhe progresiv.
Rekomandimet e Komisionit nga viti i kaluar, sipas raportit në fjalë, janë adresuar pjesërisht dhe ato mbeten kryesisht të vlefshme. Prandaj nga Kosova është kërkuar që të tregojë angazhim politik, duke forcuar ndjeshëm kapacitetet administrative të sektorëve të mjedisit dhe klimës si në nivel lokal ashtu edhe në atë qendror, pastaj të ndryshojë Ligjin dhe strategjinë e integruar për menaxhimin e mbeturinave; po ashtu të sigurojë që të merren masa të përshtatshme për parandalimin real të ndotjes në zonat e mbrojtura dhe menaxhimin e tyre; si dhe të miratojë sa më shpejt Planin Kombëtar për Energji dhe Klimë (NECP), dhe të zbatojë Ligjin për Ndryshimet Klimatike, veçanërisht kornizën për monitorimin, raportimin, verifikimin dhe akreditimin e emetimeve të gazrave serrë, me qëllim futjen e çmimit të karbonit për të përafruar kuadrin ligjor me sistemin e tregtimit të emetimeve të BE-së.
Te fusha e mjedisit, sa i përket çështjeve horizontale, kërkohen përpjekje të mëtejshme për të rishikuar dhe miratuar strategji, plane veprimi dhe legjislacion të përshtatshëm për të siguruar përputhshmëri me objektivat e Agjendës së Gjelbër dhe për të zbatuar angazhimet sipas Udhërrëfyesit për Dekarbonizimin e Komunitetit të Energjisë.
“Kapacitetet e autoriteteve mjedisore si në nivel qendror ashtu edhe lokal për të zbatuar dhe respektuar acquis-in mjedisor janë ende shumë të kufizuara, gjë që pengon seriozisht progresin në këtë sektor”, shkruan në raport.
Aty theksohet se reformat strukturore vazhdojnë të shtyhen, teksa angazhimi politik dhe financimi i pamjaftueshëm përbëjnë sfida kyçe për zbatimin e kuadrit strategjik. “Miratimi i strategjisë për mbrojtjen e mjedisit dhe zhvillimin e qëndrueshëm për periudhën 2022-2033 është ende në pritje. Përafrimi i plotë me Direktivën për Përgjegjësinë dhe Krimin Mjedisor të BE-së ende nuk është përfunduar. Zbatimi i vlerësimit strategjik të mjedisit dhe legjislacionit për vlerësimin e ndikimit në mjedis nuk zbatohet në mënyrë të qëndrueshme”, thuhet në raport, ku po ashtu nënvizohet se ndërgjegjësimi i publikut për rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit mbetet ende i kufizuar.
Pavarësisht disa përparimeve sa i përket cilësisë së ajrit, raporti i Komisionit Evropian, thekson se “ajo vazhdon të përbëjë një rrezik të madh për shëndetin, për shkak të vonesave në zbatimin e masave të duhura për të ndaluar ndotjen e ajrit”.
Njëfarë përparimi është evidentuar edhe te zbatimi i legjislacionit për menaxhimin e mbeturinave, por gjithashtu theksohet se “kapaciteti shumë i kufizuar inspektues i institucioneve të nivelit qendror duhet të rritet me urgjencë”. Gjithashtu kërkohen ndryshime në legjislacion për menaxhimin e mbeturinave duke vendosur objektiva për riciklimin, si dhe nxitjen e ekonomisë qarkore.
Kosova sipas raportit ka bërë përparim të kufizuar edhe në menaxhimin e ujërave duke miratuar dhe zbatuar strategjinë e përmirësuar për ujërat. “Miratimi i një Ligji të ri për ujërat dhe miratimi i planeve të menaxhimit të pellgjeve lumore janë ende në pritje. Kapacitetet e institucioneve kyçe si në nivel qendror ashtu edhe lokal, ndërmarrjeve publike dhe autoriteteve për menaxhimin e pellgjeve lumore mbeten të ulëta dhe kanë nevojë për forcim të mëtejshëm”, thuhet në raport.
Përparim i kufizuar është evidentuar edhe në mbrojtjen e natyrës me shpalljen e tri zonave të reja të mbrojtura, por që Kosova duhet të fillojë identifikimin dhe parapërcaktimin e vendeve që do të përfshihen në rrjetin Natura 2000. Sipas raportit te këto zona mungon menaxhimi i duhur, pasi vazhdojnë të ndoten dhe të jenë të mirëmbajtura keq, vuajnë nga aktivitetet e paligjshme dhe mungesa e kapaciteteve për zbatim dhe mbikëqyrje si në nivel qendror ashtu edhe në atë lokal.
Raporti konstaton se nuk ka pasur përparim në përafrimin me acquis-in për ndotjen industriale, për kimikatet dhe për zhurmën.
Për sa i përket mbrojtjes civile, Kosova sipas BE-së ka bërë disa përparime me miratimin e planit kombëtar për përgjigjen ndaj katastrofave dhe miratimin e Strategjisë përkatëse për periudhën 2023-2028. “Koordinimi midis niveleve qendrore dhe lokale është ende i pamjaftueshëm. Kosova nuk bëri përparim në zhvillimin e vlerësimit të nevojave të rrezikut kombëtar dhe nuk hartoi një strategji për rikuperim”, thuhet në raport.
Sa i përket ndryshimeve klimatike, Kosova ka bërë disa përparime duke miratuar Ligjin për Ndryshimet Klimatike. “Megjithatë, një objektiv për neutralitetin klimatik deri në vitin 2050 mungon, dhe miratimi dhe zbatimi i legjislacionit janë ende në pritje. Miratimi i strategjive për dekarbonizim dhe adaptim është gjithashtu në pritje. Plani Kombëtar për Energji dhe Klimë (NECP) duhet të miratohet sa më parë. Kuadri legjislativ për monitorimin, raportimin, verifikimin dhe akreditimin e emetimeve të gazrave serrë duhet të zhvillohet dhe të zbatohet, si dhe një mekanizëm për çmimin e karbonit për t’u përafruar me sistemin e tregtimit të emetimeve të BE-së. Paralelisht, Kosova duhet të zbatojë masa për adaptimin dhe zbutjen e ndryshimeve klimatike”, thuhet në raport, ku po ashtu kërkohet përforcimi i kapaciteteve të institucioneve përkatëse, përfshirë inspektimet.
Bashkimi Evropian promovon veprime të forta klimatike, zhvillimin e qëndrueshëm dhe mbrojtjen e mjedisit. Rregullat e BE-së përfshijnë dispozita për trajtimin e ndryshimeve klimatike, cilësinë e ujit dhe ajrit, menaxhimin e mbeturinave, mbrojtjen e natyrës, si dhë çështjet e ndotjes industriale, kimikatet, zhurmën dhe mbrojtjen civile.