Kandidatët për kryetar të Komunës së Prizrenit përballë qytetarëve
EC Ma Ndryshe të martën ka realizuar debatin me kandidatët për kryetar të Komunës së Prizrenit. Qëllimi i këtij organizimi ishte paraqitja dhe diskutimi i problemeve aktuale me të cilat ballafaqohen qytetarët e Komunës së Prizrenit.
Javë më parë janë realizuar disa takime me grupe të ndryshme të komunitetit, ku janë diskutuar tema rreth mungesës së gjithëpërfshirjes, dialogut social, hapësirave publike dhe të ngjashme. Gjatë këtyre diskutimeve janë veçuar problemet prioritare dhe të njëjtat sot janë paraqitur para kandidatëve për kryetar të Komunës.
Në debatin e sotëm të pranishëm ishin të gjithë 8 kandidatët për kryetar të Komunës së Prizrenit.
Në fillim të këtij debati kandidatëve i’u është dhënë mundësia që ti prezantojnë shtyllat kryesore të programeve qeverisëse, si dhe planet e tyre për zhvillimin e Prizrenit, kurse më pas ka filluar edhe diskutimi me qytetarët.
Takimi u mbajt duke respektuar masat dhe rekomandimet Anti-Covid 19.
Ky aktivitet u organizua në kuadër të Forumit për Dialog Qytetar që financohet nga Olof Palme International Center, mbështetur nga Democracy Plus (D+), përmes projektit “Pikëpamjet për Zgjedhjet Lokale 2021”.