Intervenimi për hapësira më të shfrytëzueshme në ShFMU
OJQ “EC Ma Ndryshe” realizoi një aktivitet me nxënësit e ShFMU “Nazim Kokollari” në parkun e kësaj shkolle. Intervenimet të cilat janë realizuar në këtë hapësirë, kanë ardhur si rezultat i kërkesave të nxënësve në takimet e realizuara me EC-in javë më parë.
Fillimisht, është vendosur një parking i biçikletave, i cili sipas nxënësve ka qenë intervenim shumë i nevojshëm meqenëse shkolla nuk e ka pasur një të tillë dhe numri i nxënësve që e përdorin biçikletën është i lartë. Qëllimi i vendosjes së këtij parkingu është promovimi më i madh i mbrojtjes së ambientit përmes reduktimit të ndotjes dhe rritjes së aktivitetit fizik për këta nxënës.
Pas pjesës së parë nxënësit janë ndarë në grupe dhe kanë vazhduar me aktivitete të tjera. Bashkë me disa nxënës është realizuar një aksion i mbjelljes së fidanëve dhe luleve sezonale, dhe secilit nxënës i është dhënë mundësia që në fidanin e mbjellur ta shënoj emrin e tij me qëllim që t’i inkurajojë ata për angazhimin personal për kujdesin dhe mirëmbajtjen që duhet treguar ndaj këtyre fidanëve.
Rëndësia e mbjelljes së fidanëve/bimëve është shumë e madhe meqenëse ndihmojnë për të luftuar ngrohjen globale duke thithur dioksid karboni dhe duke liruar oksigjen. E poashtu ato krijojnë edhe habitate për shumë specie si dhe ndihmojnë në shëndetin tonë fizik dhe mendor.
Lulet sezonale janë mbjellur poashtu edhe në disa goma të ripërdorura, me qëllim edhe të përçimit të mesazhit për ripërdorim të materialeve dhe jo hedhje të tyre. Përveç këtyre intervenimeve, poashtu është ngjyrosur edhe këndi i lojërave ekzistues në oborrin e shkollës, me qëllim të krijimit të një hapësire më kreative.