Intervenime të gjelbra në Lagjen Lakuriq
EC Ma Ndryshe vazhdon aktivitetet për gjelbërim të hapësirave publike. Kësaj, radhe intervenimi është realizuar në dy hapësira publike në rrugën “Përparim Thaçi” në Prizren.
Pjesë e aktivitetit kanë qenë edhe fëmijët e kësaj lagje, të cilët përmes mbikëqyrjes dhe ndihmës së stafit kanë kontribuar në mbjelljen e fidanëve dhe ngjyrosjen e mbrojtëseve të punuara nga druri. Me qëllim të inkurajimit të fëmijëve për përkujdesje dhe ruajtje të këtyre fidanëve në të ardhmen, secilit nga fëmijët i është dhënë mundësia për të shënuar emrin e vet në fidanin e mbjellë.
Hapësirat e gjelbëruara me fidanë të llojeve Katalba, Blir dhe Tuna Lejlan do të ofrojnë ambient e ajër më të pastër, reduktim të zhurmës dhe mjedis më të përshtatshme rekreativ për kalimin e kohës së lirë.
EC u bën thirrje të gjithë qytetarëve për përkujdesje të hapësirave të gjelbra, dhe në të njëjtën kohë i fton institucionet të jenë më vigjilente në mbikëqyrjen e hapësirave publike.