Intervenim në oborrin e shkollës në lagjen Petrovë
EC Ma Ndryshe ka realizuar intervenimin e radhës në oborrin e shkollës në lagjen Petrovë të Prizrenit, duke krijuar kështu kushte më të mira si për komunitetin shkollor ashtu edhe të lagjes në fjalë.
Në kuadër të këtij intervenimi janë pasuruar hapësirat e gjelbra me fidane drunjsh si dhe janë vendosur ulëset dhe shportat, të cilat tani e tutje do të shfrytëzohen nga komuniteti shkollor dhe ai i lagjes.
Ky intervenim është realizuar si rrjedhojë e kërkesës së komunitetit shkollor për të përmirësuar mjedisin respektivisht për të krijuar hapësira më të shfrytëzueshme për nxënësit, mësimdhënësit si dhe banorët e lagjes.
EC Ma Ndryshe përkujton se rëndësia e mbjelljes së fidanëve është shumë e madhe meqenëse drunjtë ndihmojnë luftimin e ngrohjes globale, duke thithur dioksid karboni dhe duke liruar oksigjen. Po ashtu krijojnë edhe habitate për shumë specie si dhe ndihmojnë shëndetin fizik dhe mendor të komunitetit. Prandaj i bën thirrje autoriteteve lokale që të investojnë më shumë në krijimin dhe mirëmbajtjen e hapësirave të gjelbra urbane.