Harta e Parregullsive Urbane

Në konferencën e sotme për media EC Ma Ndryshe publikoi dy produkte të reja në kuadër të veprimeve të organizatës për të siguruar rend urbanistik në qytetin e Prizrenit. Fillimisht u prezantua Harta e Parregullsive Urbane, e cila është formë inovative e paraqitjes së rasteve të ndërtimeve të cilat bien ndesh me ligjin dhe parimet e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore. Në të njëjtën kohë, organizata shpalosi detaje nga analiza “Urbanizmi si lexim i qytetit”, ku ofrohen shembuj të transformimit të strukturës urbane të qytetit dhe degradimit që ka pësuar Qendra Historike gjatë dekadës së fundit, si rezultat i aktivitetit kaotik ndërtimor.  
Rastet e paraqitura në Hartën e Parregullsive Urbane janë vetëm një pjesë e punës monitoruese dhe hulumtuese e EC Ma Ndryshe, ndërsa kjo hartë do të vazhdojë të përditësohet rregullisht edhe me të gjeturat e tjera të aktiviteteve degraduese ndërtimore në qytet. Harta është publikuar online dhe është e qasshme për të gjithë të interesuarit që dëshirojnë të informohen për këto aktivitete në linkun: http://www.online-transparency.org/harta/.
 
Në anën tjetër, analiza “Urbanizmi si lexim i qytetit” është një kritikë ndaj dinamikës kaotike të urbanizmit në Prizren në dekadën e fundit. Analiza është e ndërtuar rreth argumentit se ndërtimi gjatë kësaj periudhe ka qenë shkatërrues dhe ka sulmuar identitetin dhe shpirtin e qytetit. Ky transformim e ka shndërruar Prizrenin nga një qytet vernakular në një hapësirë pa dimensione. Bashkëngjitur kësaj komunikate mund ta gjeni tekstin e plotë të analizës.
 
Nga muaji korrik 2013, “EC Ma Ndryshe” ka nisur zbatimin e projektit “Urbanizmi i Prizrenit nën vëzhgim të përhershëm”. Nevoja për mbikëqyrjen e zhvillimeve në sektorin e urbanizimit ka rrjedhë si pasojë e zhvillimeve të shumta negative gjatë periudhës së pasluftës dhe tranzicionit që janë manifestuar me degradimin urban dhe planifikimin e pa-balancuar hapësinor. Projekti synon që të instaloj një sistem të monitorimit të përhershëm të aktivitetit shtetëror (dy nivelet e pushtetit dhe organet e drejtësisë) në fushën e menaxhimit dhe zhvillimit urban në qytetin e Prizrenit, me theks të veçantë në Qendrën Historike të tij, për të siguruar rend urbanistik.
 

Rrjetëzimi