Hapësirat e gjelbra duhet të jenë pjesë e pandashme e ndërtimit të lagjeve tona

Hapësirat e gjelbra brenda qyteteve janë elemente kyçe që ndikojnë në funksionimin e mirëfilltë të një strukture urbane e cila siguron mirëqenien e banorëve. Sot kur ndotja dhe pasojat e saj tek njeriu dhe ekosistemet po bëhen gjithnjë e më evidente, një vizion i gjelbër për qytetin është bërë më se i nevojshëm. Në një situatë të tillë hapësirat e gjelbra janë mjete efikase që mund të përdoren për të luftuar ndryshimet klimatike, për të krijuar qëndrueshmëri të qyteteve tona dhe për të ngritur cilësinë e jetesës së qytetarëve brenda lagjeve urbane.
Në Kosovë, procesi i planifikimit urban i cili do të duhej të ishte mjet për zgjidhjen e problemeve të shumta në një mjedis jetësor, për vite me radhë nuk ka funksionuar siç duhet dhe rrjedhimisht është lejuar që procesi i zgjerimit urban të shndërrohet në njërin prej kërcënuesve më të mëdhenj të mjedisit dhe mirëqenies qytetare.
Sot ballafaqohemi me koncentrim të popullsisë në qytete – me mbipopullim të mjediseve urbane, mjedise këto të konstruktuara në mënyrë të pakontrolluar. Ndërtimet intensive dhe pa kritere urbanistike kanë bërë që sot tw ballafaqohemi me lagje të qyteteve, që në të shumtën e rasteve nuk i përmbushin kushtet esenciale për jetesë. E tëra kjo ka ardhur si pasojë e ndërtimit për një periudhë të gjatë përmes shkeljeve ligjore, e që si rezultat sot ka krijuar zona urbane që vështirësojnë përditshmërinë e banorëve dhe kontribuojnë në ndotje të vazhdueshme që kërcënon mjedisin dhe jetën e qytetarëve.
Ndërsa qytetet bëhen më të dendura dhe shqetësimi për ndikimin e ndryshimeve klimatike rritet, një fokus më i madh duhet të vendoset tek ndërtimi i hapësirave të gjelbra dhe potenciali i tyre si mjete që ofrojnë qëndrueshmëri brenda vendbanimeve tona.
Studimet po tregojnë se hapësirat e gjelbra mund të jenë përgjigje ndaj ndotjes urbane mjedisore. Ato ndihmojnë në luftimin e ndotjes, inkurajojnë zhvillimin e biodiversitetit brenda qyteteve dhe ndihmojnë në kontrollin e temperaturave dhe lagështisë. Këto hapësira reduktojnë ndotjen e dëmshme të karbonit i cili nxit ndryshimet klimatike duke i mbrojtur banorët, ekosistemet dhe infrastrukturën nga katastrofat ekologjike siç janë stuhitë, valët e të nxehtit, thatësirat; përmbytjet, dhe gjithashtu evitojnë disa nga sfidat parësore të shëndetit publik që përkeqësohen nga ndotja urbane. Ndërhyrjet në zgjerimin e hapësirës së gjelbër brenda qyteteve e rrisin potencialin për të kontribuar në përparimin e synimeve dhe objektivave të shumta të Agjendës 2030 sepse përmes krijimit të këtyre zonave të gjelbra mund të arrihet zbutja e ndryshimeve klimatike edhe të krijohen qytete që i përmbushin nevojat e komunitetit.
Hapësirat e gjelbra ofrojnë dobi të shumta ambientale dhe përmirësojnë cilësinë e jetesës së qytetarëve në një zonë urbane, po ashtu edhe duke reduktuar ndotjen e ujit, duke mbrojtur ujin e pijshëm dhe duke ulur shkallën e sëmundjeve të shkaktuara nga uji. Hapësirat e gjelbra urbane mund të ndihmojnë gjithashtu në ftohjen e qyteteve tona, duke reduktuar efektin e “ishullit të nxehtësisë”, të cilat janë zona të urbanizuara që përjetojnë temperatura më të larta se zonat periferike. Strukturat si ndërtesat, rrugët dhe infrastrukturat e tjera thithin dhe riemetojnë nxehtësinë e diellit më shumë sesa peizazhet natyrore si pyjet dhe trupat ujorë prandaj një zonë e gjelbër në një lagje ndikon dukshëm në përmirësimin e këtyre parametrave.
Gjithashtu hapësirat e gjelbra ofrojnë mundësi për të rritur cilësinë e jetës dhe ruajtur shëndetin publik. Përmirësimi i shëndetit tonë fizik dhe psikologjik, forcimi i komuniteteve dhe bërja e qyteteve dhe lagjeve tona vende më tërheqëse dhe më të qëndrueshme janë vetëm disa nga përfitimet.
Qytetet tona ende vazhdojnë të ballafaqohen me të meta të mëdha sa i përket hapësirave gjelbëruese. Në disa hulumtime të realizuara nga EC me qytetarë të komunave: Prizren, Ferizaj dhe Gjakovë ata janë pyetur nëse janë ftuar ndonjëherë nga institucionet komunale për të diskutuar dhe ofruar propozime rreth hapësirave gjelbëruese në komunat e tyre. 88% e qytetarëve në Prizren kanë potencuar që asnjëherë nuk kanë pranuar ftesë nga institucionet për të ofruar propozime, kurse relativisht përqindja e njëjtë qëndron edhe në 2 komunat e tjera: rreth 67% e qytetarëve të Ferizajit dhe 90% e qytetarëve të Gjakovës janë shprehur se nuk janë ftuar nga institucionet për të diskutuar rreth çështjeve të tilla.
Institucionet e nivelit lokal dhe qendror duhet që urgjentisht të fillojnë dhe të prioritizojnë implementimin e politikave të gjelbra dhe të aplikojnë parimin e gjithëpërfshirjes qytetare në planifikim në mënyrë që të përmirësohet cilësia e jetesës së qytetarëve. Kosova disponon legjislacion i cili i përcakton kushtet e përgjithshme dhe të veçanta për mbrojtjen e mjedisit jetësor nga format e ndryshme të ndotjes, mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të njerëzve, si dhe mbrojtjen e mjedisit jetësor dhe ndikimi do të ishte i dukshëm në përmirësim të gjendjes aktuale nëse akterët do të funksionin në përpikmëri me dispozitat e legjislacionit në fuqi, si Ligjit për Mbrojtjen e Mjedisit 03/L‐025 (Gazeta zyrtare Nr.50/2009); Ligjit për Vlerësimin Strategjik Mjedisor 03/L‐015 (Gazeta zyrtare Nr.49/2009); Ligjit për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis 03/L‐024 (Gazeta zyrtare Nr.50/2009); Ligjit për Parandalimin dhe Kontrollin e Integruar të Ndotjes 03/L‐043 (Gazeta zyrtare Nr.52/2009); Ligjit për Mbrojtjen nga Zhurma 02/L‐102 (Gazeta zyrtare Nr.40/2008), etj.
Hapësirat e gjelbra e sjellin natyrën në qytet në shumë mënyra, ato luajnë rolin e urave, duke ofruar përfitime të dimensioneve të ndryshme si për ekosistemet ashtu edhe për vetë banorët. Ato do të duhej të ishin pjesë e pandashme e procesit të planifikimit urban sepse ato luajnë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e qëndrueshëm të qyteteve, prandaj edhe qytetet e Kosovës duhet që të prioritizojnë pasurimin e zonave urbane me hapësira të gjelbra, të respektojnë kriteret urbanistike dhe ambientale dhe të mos lejojnë që brenda hapësirave të qytetit të aplikohen intervenime të shthurura që vështirësojnë jetën qytetarëve dhe sjellin pasoja afatgjata si ndaj shëndetit të njeriut ashtu edhe ndaj ekosistemeve.

Rrjetëzimi