“Green Talk” me të rinjtë në Fushë Kosovë
EC Ma Ndryshe ka vazhduar serinë e debateve të gjelbra me të rinj, kësaj here në Komunën e Fushë Kosovës. Me anë të këtij aktiviteti EC, synon aktivizimin e të rinjve në mënyrë që ata të paraqesin kërkesat dhe shqetësimet para zyrtarëve përgjegjës.
Në këtë takim kanë marrë pjesë përfaqësues nga Komuna e Fushë Kosovës, z. Ejup Qyqalla dhe z. Adnan Bullatovci (Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Mjedisit dhe Drejtoria e Planifikimit Urban) si dhe nxënësit e mësimdhënësit nga shkollat fillore “Mihal Grameno I”, “Mihal Grameno II” dhe “Selman Riza”.
Në fillim EC-i prezantoi angazhimet, aktivitetet mjedisore dhe projektet e veta të cilat ndërgjegjësojnë dhe promovojnë mbrojtjen e mjedisit, duke vazhduar më tutje me prezantimet e aktiviteteve mjedisore të realizuara nga ana e nxënësve përfaqësues të shkollave prezente.
Gjatë debatit u diskutuan shumë probleme mjedisore që ekzistojnë në Komunën e Fushë Kosovës si: mungesa e hapësirave publike, menaxhimi i mbeturinave, deponitë ilegale, mungesa e pjesëmarrjes qytetare në diskutime publike, mungesa e inspektorëve mjedisor, numri i madh i ndërtimeve pa planifikim të hapësirave të gjelbra, etj.
Nga ana e përfaqësuesve të dy drejtorive u premtua se shkollat do të përkrahen në realizimin e aktiviteteve dhe projekteve mjedisore.