“Green Talk” me Eko Klubet e Prizrenit
EC Ma Ndryshe organizoi një debat të gjelbër me Eko Klubet në Komunën e Prizrenit, me synimin për të inkurajuar të rinjtë që të marrin një rol më aktiv në mbrojtjen e mjedisit dhe për të ngritur shqetësimet e tyre përballë autoriteteve lokale. Në këtë diskutim mori pjesë kryetari i komunës, z. Shaqir Totaj, i cili bashkëbisedoi me nxënësit nga shkollat e mesme "Gjon Buzuku", "Remzi Ademaj", "Luciano Motroni", "Ymer Prizreni", dhe "Lorenc Antoni".
Takimi nisi me prezantimin e projektit “Eko Shkolla” nga EC Ma Ndryshe, një iniciativë që synon të rrisë ndërgjegjësimin dhe të promovojë veprime konkrete për mbrojtjen e mjedisit. Më pas, nxënësit e përfaqësuar nga secila shkollë prezantuan aktivitetet e tyre mjedisore dhe ndanë përvojat e tyre për projektet e zbatuara brenda shkollave dhe komunitetit, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit me autoritetet lokale për përmirësimin e gjendjes së mjedisit.