Gjetjet mbi biodiversitetin dhe ndikimin klimatik shpalosen në konferencën me hisedarët

EC Ma Ndryshe ka organizuar konferencën për prezantimin e gjashtë raporteve mbi biodiversitetin, ndikimin klimatik në biodiversitet, restaurimin dhe menaxhimin afatgjatë të habitateve.


Këto raporte ofrojnë një qasje ndërdisiplinore, duke ndërthurur kornizën ligjore, planifikimin hapësinor dhe ekspertizën ekologjike me analizën shkencore dhe cilësore të të dhënave.


Raportet prezantojnë përmes hartave zonat e identifikuara si të rrezikuara për biodiversitetin në Prizren, Suharekë dhe Malet e Sharrit.


Bazuar në vlerësime në terren, analiza GIS dhe shqyrtim të planeve ekzistuese të menaxhimit, janë evidentuar habitatet kritike dhe ato me potencial për restaurim, të cilat janë krahasuar me modelet klimatike për të vlerësuar ndikimin e ndryshimeve klimatike.


Hulumtimet synojnë të mbështesin qasje të qëndrueshme në menaxhimin dhe restaurimin e habitateve, duke kontribuar në një tranzicion socio-ekologjik të territorit.


Gjatë diskutimit në panel, eksperti i klimës dhe meteorologu Bashkim Kastrati trajtoi zhvillimet e fundit klimatike në Kosovë dhe tendencat e vërejtura në modelet meteorologjike.


Nexhmije Kamberi, përgjegjëse për biodiversitetin në Institutin e Kosovës për Mbrojtjen e Mjedisit, theksoi sfidat kryesore që përballon biodiversiteti në Kosovë, përfshirë mungesën e të dhënave, sfidat institucionale dhe teknike, si dhe nevojën për përditësimin e strategjive përkatëse.


Entomologu Halil Ibrahimi prezantoi para pjesëmarrësve gjetjet e hulumtimeve dhe sfidat e biodiversitetit përballë ndryshimeve klimatike, menaxhimit të habitateve dhe specieve të rrezikuara.


Ndërsa, prof. Visar Morina, ligjërues i së drejtës mjedisore dhe kushtetuese në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, krahas praktikave ndërkombëtare ndau analizën e tij edhe mbi gjendjen aktuale të kornizës ligjore për mbrojtjen e natyrës në Kosovë, duke theksuar hendeqet ekzistuese dhe sfidat praktike në zbatimin efektiv të ligjeve mjedisore.


Në diskutimin e hapur me pjesëmarrësit u theksua nevoja për zgjerimin e hulumtimeve të ngjashme në gjithë territorin e Kosovës, si dhe për përfshirje më të gjerë të komuniteteve dhe institucioneve relevante, në mënyrë që rekomandimet e dala nga këto studime të shndërrohen në veprime konkrete dhe efektive.

Rrjetëzimi