GJENDJA JO E MIRË E MJEDISIT, KËRKOHET MË SHUMË ANGAZHIM NGA ADMINISTRATA QENDRORE E LOKALE
Gjendja e mjedisit në Kosovë, ashtu siç e kanë pranuar edhe zyrtarët, nuk është e mirë.
Sipas gjetjeve të raportit të monitorimit të sektorit të mjedisit për vitin 2023, numri i angazhuar i punonjësve publikë për kryerjen e detyrave të përcaktuara me ligj nuk është i mjaftueshëm. Po ashtu korniza ligjore mjedisore është e pjesërisht konsoliduar, dhe ka nevojë për harmonizim me direktivat e BE-së.
Për dokumentet e planifikimit, programet, projektet dhe masat për mbrojtjen e mjedisit nevojitet transparencë më e madhe.
Sa i përket mbikëqyrjes inspektive, Inspektorati i Mjedisit ka njoftuar se ka realizuar:
Inspektime me procesverbal 550
Aktvendime për ndërprerje pune 246
Gjoba administrative kundërvajtëse 306
Procedura kundërvajtëse 3
Kallëzime Penale 8
Të dhënat për sistemet e monitorimit të mjedisit janë të publikuara në ueb faqen e AMMK-së, por jo edhe në kohë reale.
Raportet e institucioneve përgjegjëse, ndër të tjerash, bëjnë të ditur se nevoja dhe kërkesa për investime në mjedis mbetet ende e lartë, dhe se çështja e mjedisit në Kosovë ende ka nevojë për përmirësime të dukshme në të gjitha aspektet. Edhe sistemet e menaxhimit të të dhënave mjedisore kërkojnë përmirësim të mëtejshëm ngase nuk janë të kompletuara, dhe njëkohësisht nevojitet staf adekuat.
Bashkëpunimi ndër-institucional dhe ndër-sektorial ka nevojë për përmirësim, sikurse edhe transparenca sa i përket licencimit dhe lëshimit të lejeve mjedisore.
Në raport janë adresuar edhe rekomandimet si rritja e transparencës së institucioneve për çështjet mjedisore; trajtimi i mjedisit me prioritet më të lartë; avancimi i legjislacionit dhe politikave publike për mjedisin, shtimi i financimit për projektet mjedisore dhe mbrojtjen e mjedisit; etj.
Ngjashëm si në administratën qendrore, edhe raporti i monitorimit për 12 Komuna adreson e trajton përgjegjësitë e Komunave karshi aspekteve mjedisore që rregullohen me kornizën ligjore të vendit.
Gjetjet e raportit të monitorimit në 12 komuna, përkatësisht Prizren, Prishtinë, Pejë, Mitrovicë e Jugut, Gjilan, Ferizaj, Gjakovë, Rahovec, Malishevë, Suharekë, Dragash e Mamushë tregojnë se mjedisi dhe mbrojtja e tij ende nuk gëzojnë vëmendjen e duhur, pasi burimet njerëzore dhe financiare nuk janë në nivel të mjaftueshëm, derisa edhe transparenca për këto çështje duhet të rritet në mënyrë të ndjeshme.
Shkalla e hartimit dhe zbatimit të politikave lokale për planifikimin dhe menaxhimin mjedisor mbetet problematik, për faktin se nuk ka organizim të mirëfilltë në këtë aspekt dhe nuk është vërejtur ndonjë përmirësim i ndjeshëm gjatë vitit 2023.
Inspektimi gjithashtu realizohet me burime të kufizuara njerëzore që pastaj vë në pikëpyetje edhe efikasitetin në parandalimin e dukurive negative në raport me mjedisin.
Prizreni:
Mbikëqyrje inspektimi me procesverbal 124
Vendime 18
Inicime në Gjykata 18
Prishtina:
Nuk ka të dhëna.
Peja:
Kontrolle të rregullta: 126
Numri i gjobave të shqiptuara: 19
Numri i lëndëve të proceduara në Gjykata: 2
Menaxhimi i mbeturinave: 43 kontrolle dhe 9 gjoba
Mbrojta e resurseve natyrore: 15 kontrolle dhe 7 gjoba
Ndotje akustike dhe ndotje e mjedisit: 35 kontrolle dhe 3 gjoba
Mitrovica e Jugut:
5 gjoba mandatore për ndotjen e mjedisit
Gjilani:
Numri i inspektimeve 235
Numri i procesverbaleve të hartuara 172
Numri i gjobave të shqiptuara 22
Numri i kërkesave të dorëzuara në Gjykatë 01
Numri i kërkesave të pranuara 53
Numri i kërkesave në shqyrtim 02
Ferizaj:
122 gjoba mandatore
Gjakova:
394 urdhëresa për eliminim të parregullsive
123 gjoba (pa specifikime)
Komunat as gjatë vitit 2023 nuk kanë ndërtuar sistem të menaxhimit të të dhënave mjedisore, për shkak të mungesës së resurseve teknike dhe njerëzore për krijimin, grumbullimin dhe menaxhimin e të dhënave mjedisore.
Rekomandimet kryesore për komunat janë që: të themelohen sektorët e mjedisit në komunat ku ato ende mungojnë; të fuqizohen sektorët e mjedisit në komunat ku ato janë funksionale; të shtohet numri i punonjësve profesionistë në sektorët e mjedisit; të shtohet mbikëqyrja inspektive dhe raportimi mjedisor; të rritet transparenca e komunave në raportimet për çështjet mjedisore; dhe mjedisi të vihet si prioritet gjatë hartimit të politikave publike nga komunat.