Futet në funksion shfrytëzimi i hollit të shkollës “Luciano Motroni”
Është realizuar intervenimi në hollin e shkollës “Luciano Motroni” pas punëtorisë vizionuese që ishte organizuar me qëllim të përfshirjes së nxënësve për të shprehur vizionin e tyre për hapësirën të cilën e frekuentojnë çdo ditë, duke i bërë kështu pjesëmarrës në procesin e planifikimit të hapësirës së shkollës së tyre.
Ky intervenim është realizuar me arsyen e shndërrimit të kësaj hapësire brenda shkollës në një pjesë multifunksionale duke u bazuar në nevojat e vet nxënësve. Hapësira e hollit hyrës ka qenë plotësisht e zbrazët dhe e pashfrytëzueshme, andaj intervenimi ka sjellur si rezultat futjen në funksion të kësaj pjese dhe vënien e saj në shfrytëzim të shkollës. Në kuadër të këtij intervenimi është lyer muri i hollit, janë vendosur ulëse, gjelbërim dhe janë veshur shkallët me shtresë të drurit në mënyrë që të shfrytëzohen për t’u ulur.
Ky grant është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA).