Fillojnë punëtoritë gjithëpërfshirëse për dizajnim të hapësirave publike
EC Ma Ndryshe bashkë me Komunën e Prizrenit, në kuadër të projektit rePUBLIC SPACES / HAPËSIRAT re-PUBLIKE javën e kaluar ka mbajtur info sesione dhe punëtori dyditore për hapësira publike të përzgjedhura në lagjet Dardania dhe Ortakoll në Prizren.
Pjesëmarrës nga grupe të ndryshme të komunitetit kanë identifikuar problemet dhe propozuar zgjidhje për to. Pjesa më interesante e punëtorive ishte metodologjia Bllok pas Blloku / loja Minecraft ku të gjithë së bashku e në veçanti fëmijët punuan në modele 3D të propozimeve për lagjet e tyre.
Objektivi i përgjithshëm i këtij projekti është promovimi i hapësirave publike të sigurta, gjithëpërfshirëse dhe të qasshme në Prizren nëpërmjet dialogut të politikave, projekteve të hartuara dhe të demonstruara nga komuniteti, të cilat synojnë përmirësimin e jetesës së banorëve dhe komuniteteve të pafavorizuara. Projekti do të përmbyllet me investime kapitale në hapësira publike të bazuara në projektet e hartuara me komunitet.
Ky projekt zbatohet nga EC Ma Ndryshe dhe Komuna e Prizrenit përderisa financohet nga UN-HABITAT dhe Komuna e Prizrenit.