Filigrani përtej Artizanatit

OJQ EC Ma Ndryshe ka nisur zbatimin e projektit “Filigrani përtej Artizanatit”, financuar nga projekti “Dialogu ndërmjet komuniteteve përmes ruajtjes gjithëpërfshirëse të trashëgimisë Kulturore”, që implementohet nga UNDP dhe financohet nga Instrumenti i Bashkimit Evropian që kontribuon për Stabilitet dhe Paqe (IcSP).


Në kuadër të këtij projekti në Prizren ka filluar cikli i parë të trajnimit për aftësim në artizanatin e Filigranit. 15 aplikantë të përzgjedhur nga thirrja e parë, në mesin e të cilëve ka edhe pjesëmarrës nga Komunat e Rajonit të Prizrenit, gra dhe të rinjë dhe përfaqësues të komuniteteve të ndryshme të cilët do të aftësohen nga filigranistët e Shoqatës ''Filigrani'' në një periudhë 8 javore. Paralelisht EC ka hapur edhe thirrjen e radhës për ciklin e dytë të trajnimit, nga ku do të përzgjedhen përsëri 15 aplikantë të tjerë të cilët do të vijojnë trajnimin për aftësim në artizanatin e Filigranit. 5 aplikantëve më të suksesshëm nga grupi i parë dhe i dytë i trajnimit do t'iu ofrohet punë praktike me pagesë në një periudhë 6 mujore, me mundësi punësimi në të ardhmen pranë ndërmarjes Filigrani.


Projekti është dizajnuar në atë mënyrë që t'i përgjigjet nevojës për mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore jomateriale të Kosovës. ''Filigrani përtej Artizanatit'' është projekt 10 mujor gjatë të cilit përpos aftësimit të 30 personave në artizanatin e Filigranit dhe ofrimit të mundësisë së punës praktike për 5 persona, përfshin edhe një sërë aktivitetesh të tjera me qëllim të dokumentimit, promovimit dhe transferimit të shkathtësive të kësaj zeje tek gratë dhe të rinjtë.


''Filigrani përtej Artizanatit'' synon të ndërtojë besimin dhe bashkëpunimin ndërmjet komuniteteve përmes një platforme për shkëmbimin e informacionit dhe njohurive. Gjatë zbatimit të projektit aktivitetet kryesore do të jenë: Punëtoritë e trajnimit mbi Filigranin, Programi i Praktikës, Zhvillimi i kornizës strategjike, Ueb-platforma, Dokumentari mbi Filigranin dhe Panairi i Filigranit. Ruajtja e artizanateve të cilat janë nën kërcënim duke angazhuar të rinjtë dhe gratë përbën thelbin e aktiviteteve që do të zhvillohen në kuadër të këtij projekti.


Projekti i EC Ma Ndryshe "Filigrani përtej artizanatit" është financuar nga projekti “Dialogu ndërmjet komuniteteve përmes ruajtjes gjithëpërfshirëse të trashëgimisë Kulturore”, qe implementohet nga UNDP dhe financohet nga Instrumenti i Bashkimit Evropian që kontribuon për Stabilitet dhe Paqe (IcSP).

Rrjetëzimi