Fëmijët me aksione vetëdijesuese ndaj ndryshimeve klimatike
EC Ma Ndryshe në bashkëpunim me nxënësit e shkollës fillore “Loyola” sot ka shënuar Ditën Ndërkombëtare të Aksioneve ndaj Ndryshimeve Klimatike. Qëllimi i realizimit të këtij aktiviteti është të ngrisë vetëdijen për realitetin e ndryshimit të klimës dhe të inkurajojë angazhimin personal të këtyre fëmijëve për sjellje miqësore ndaj natyrës.
Për shënimin e kësaj dite nxënësit janë angazhuar përmes disa aktiviteteve të ndryshme. Nxënësit fillimisht kanë kënduar në kor Himnin e Ndryshimeve Klimatike "Do it now", pastaj kanë vazhduar me Këngën e Globit dhe një recital të titulluar “Ndryshimet Atmosferike”.
Pas pjesës së parë nxënësit janë ndarë në disa grupe ku kanë vazhduar me disa lojëra të cilat kanë qenë të dizajnuara në mënyrë që të zhvillojnë mendimin kritik të nxënësve për mbrojtjen e mjedisit dhe të përcjellin një mesazh simbolik tek të tjerët.
Loja “Puzzle”; nxënësit kanë punuar në grup ku simbolikisht përmes Puzzle kanë paraqitur vizionin e tyre se si ata duan ta ndërtojnë ambientin, duke përfshirë komponente si energjia eficiente,riciklimi, florë dhe faunë të pasur. Loja e radhës ka qenë Kuizi mbi Ambientin; në këtë pjesë nxënësit u janë përgjigjur pyetjeve të përzgjedhura ku me ndihmën e stafit janë elaboruar ato çështje duke fituar nxënësit njohuri të reja. Janë plotësuar edhe disa fjalëkryqe ku nxënësit është dashur t’i gjejnë disa fjalë që kanë të bëjnë me ndryshimet klimatike.
Këta nxënës kanë praktikuar disa nga mësimet e marra duke i klasifikuar mbeturinat e mbledhura në ato të riciklueshme dhe të kompostueshme, me ç’rast edhe janë diskutuar këto dy metoda të menaxhimit të mbeturinave.
Në fund nxënësit kanë përgatitur edhe një lojë e cila kishte për qëllim përcjelljen e mesazhit që përgjegjësia mbi kujdesin ndaj ambientit i përket të gjithëve.
Ky aktivitet është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA).