EKSPOZITA “ARTEFAKTET E KOSOVËS TE MARRA NGA SERBIA” HAPET ME THIRRJEN PËR KTHIMIN E TYRE





Ekspozita “Artefaktet e Kosovës të marra nga Serbia” është hapur në Prizren duke shpalosur për publikun fotografitë e dhjetëra artefakteve që vazhdojnë të mbahen në Serbi. Bashkë me ekspozitën janë shpërndarë edhe kartolina me imazhe të artefakteve dhe me mesazhe për nevojën e kthimit të tyre në vendin e origjinës.
Ky aktivitet pos që i ka mundësuar publikut që të shoh për së afërmi një pjesë të pasurisë së çmuar kulturore të Kosovës, që vazhdon të mbahet peng në Serbi, ka shërbyer edhe si thirrje e radhës për të shprehur rëndësinë e kthimit të këtyre artefakteve në Kosovë.
Për më shumë se dy dekada, Serbia ka marrë dhe kontrollon një gamë të gjerë të artefakteve të Kosovës. Në këtë periudhë, është dokumentuar se më shumë se 1,247 artefakte janë transportuar në Beograd për një ekspozitë dhe nuk janë kthyer më në vendin prej nga janë marrë.
EC Ma Ndryshe konsideron se institucionet e Kosovës duhet të vazhdojnë përpjekjet për rikthimin e tyre, në një proces që kërkon angazhim të ndërsjellë dhe mbështetje të vazhdueshme nga faktori ndërkombëtar.
Kthimi i këtyre artefakteve do të përbënte një hap të rëndësishëm drejt drejtësisë kulturore, ruajtjes së trashëgimisë kulturore dhe prezantimit adekuat të tyre në vendin e origjinës.
Ekspozita në javët në vijim do të qëndroj e hapur edhe në qytetet tjera të Kosovës.